Me Sali Berishën na është dashur të merremi prej 34 vitesh. Në fillim jo të gjithë e kuptonin se sa djallëzore ishte mendja e tij, madje as Ramiz Alia që e zgjodhi si një shërbëtor besnik dhe të padëmshëm për të negociuar me studentët që kërkonin fundin e regjimit. Por ai pastaj e tradhtoi. Studentët, megjithatë, ishin më shumë të zgjuar se Alia dhe në fakt e përzunë nga salla ku Berisha fliste për demokracinë, por duke i quajtur të gjithë "shokë", siç kishte mësuar të bënte mes mësuesve të tij komunistë. Në fund ai arriti t'i mashtrojë edhe ata dhe që nga ajo kohë vazhdon të paraqitet si babai i pluralizmit shqiptar, duke përvetësuar meritat që kishin të tjerët. Në të njëjtën mënyrë ai tani uzurpon edhe emrin e Opozitës, të cilën e trajton sikur të ishte monopol i familjes së tij.
Berisha ka qenë gjithmonë komunist dhe pas 34 vitesh është ende, lideri i fundit politik hibrid i atij brezi të mbaruar dhe që ka mbetur ende aktiv në të gjithë rajonin e Ballkanit. Sot si atëherë ai flet për lirinë, ligjshmërinë dhe demokracinë, por vazhdon ta bëjë këtë me gjuhën e drurit të mësuar nga komunistët e rinisë së tij. Berisha, më saktë, është enverist, sepse në Evropë edhe komunistët janë modernizuar, ndërsa ai është ende i ngulur pas diktateve të Stalinit që Enver Hoxha u imponoi ndjekësve të tij. Ashtu si Stalini, Berisha nuk harron, si Stalini urren, si Stalini shpif.
Siç bëri me Ramiz Alinë dhe më pas me studentët, Sali Berisha beson ende se mund të përdorë manipulimet e tij prej kamaleonti për të mashtruar të tjerët. Por pas 34 vitesh ai nuk mashtron më askënd dhe kjo shpjegon pse tubimet e tij janë boshe, si fjalët dhe premtimet e tij. Askush nuk beson më tek Berisha, përveç një pakice të vogël militantësh që kanë të njëjtin besim tek ai sikur ishte një lloj feje, ashtu si çdo diktator në histori arrin të rrethohet edhe pas vdekjes. Edhe sot në varrin e Enver Hoxhës mblidhen disa qindra nostalgjikë për ta përkujtuar, por kjo nuk do të thotë se Enver Hoxha mund të fitonte ndonjëherë zgjedhjet nëse do të kthehej në tokë. Edhe Mbreti Zog, nëse do të kthehej në jetë, do të mblidhte rreth fronit të tij prej letre ministra dhe zëdhënës të gatshëm t'i betoheshin për besnikëri, por jashtë oborrit të tij mbretëror do të vazhdonte të qëndronte i vetëm.
Dhe si ata, edhe Sali Berisha sot është i vetëm pavarësisht Mulit, Belos, Cimit, Edit, Oertit, Çlirimit dhe disa shërbëtorëve të tjerë që zbatojnë urdhrat e tij, duke kërkuar në këmbim një vend të sigurt në listë. Jashtë oborrit mbretëror, në të cilin e kanë shndërruar Partinë Demokratike, janë të vetëm. Berisha e ka kuptuar këtë, ai e di, si kafshë politike e ndjen në ajër humbjen e radhës elektorale dhe prandaj na urren. Urren njerëzit që nuk e votojnë, urren gazetarët që nuk e mbrojnë, urren institucionet shtetërore që nuk i binden, urren kundërshtarët politikë që e kontestojnë, urren sistemin e drejtësisë që ai nuk kontrollon më. Shpreh urrejtje si mundet dhe si di, dhe shpifja është vegla staliniste që arrin ta menaxhojë më së miri, sot që nuk mund të përdorë më kriminelët e Shik-ut, të Gardës, të Gjykatave, të policisë e hallkave të tjera të shtetit, siç bënte dikur.
Ai i urren të gjithë edhe sepse nuk mundet më të vjedhë, prandaj me perversitet tipike komuniste ai akuzon të tjerët se kanë bërë atë që ai do të kishte bërë në vend të tyre. Duhet mbajtur gjithmonë parasysh: sa herë që Sali Berisha dhe klonet e tij akuzojnë dikë, kjo akuzë është pikërisht ajo që ata do të kishin bërë sikur të kishin mundësi. Sepse ata me të vërtetë e kanë bërë atë dhe do të ishin gati ta bënin përsëri.
Pas 34 vitesh ne jemi ende këtu duke shkruar për Sali Berishën dhe kjo është e vetmja meritë që i duhet njohur: ia doli t’i mbijetojë harresës që historia i rezervon të gjithëve. Nëse ai do të kishte ndryshuar, mashtrimi do të ishte i përsosur dhe ndoshta do të vazhdonim të flisnim për të, por jo për të kaluarën e tij. Por dinakëria e njeriut nuk shoqërohet gjithmonë me inteligjencë dhe kështu Berisha me stalinizmin e tij enverist të pandryshuar, vazhdon të na kujtojë se kush ka qenë gjithmonë: një politikan pa ideale, pa vlera njerëzore dhe i aftë për çdo kompromis dhe çdo gënjeshtër vetëm për të fituar pushtet. Ajo që shohim sot, që nxit rreth pesëdhjetë militantë sipër një platforme prej druri të ngritur para hyrjes së SPAK-ut ku sapo ka firmosur paraqitje si çdo kriminel i rëndomtë, është i njëjti Sali Berisha që 34 vite më parë i premtoi "Liri e demokraci" turmës së mbledhur në sheshin Skënderbej. Sot të gjithë e dinë që ai gënjeu edhe për ato parime bazë, dhe mund të vazhdojë të bëjë salto në ajër si një klloun cirku, por asnjë mjeshtëri dhe asnjë mashtrim nuk mund të bëjë më që një njeri i vogël si ai të kthehet përsëri në pushtet.
Z. Karlo, e ke stamposur bukur figuren e mbrapshte te njeriut qe premtoi shume dhe prishi endrat e gjithe shqiptareve. Na eshte neveritur qe akoma kjo murtaje eshte protagonist ne politike, na mban peng te ardhmen tone. Faleminderit Z. Karlo ne kontributin tuaj qe i jepni ketij vendi.
PërgjigjuShkrim i sakte.Biles eshte me i keq se Enveri.dhe vjedhe zvatje te pronave ne emer te kapitalizmit dhe komunist ne gen dhe per ate qe afron per shqiptaret.me nje fjale laparak
PërgjigjuShkrim brilant!