Gazetari Carlo Bollino komenton në Report TV zhvillimet e fundit politike, mes tyre arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj drejtësisë e deri tek sulmet e Sali Berishës dhe retorikën e tij për shkrirjen e SPAK. Sa i takon arrestimit të Veliajt, botuesi Bollino thekson se erdhi në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 majit, por në ndryshim nga kryebashkiaku i Tiranës që u arrestua, Gjykata ka lehtësuar masën për Sali Berishën me arsyetimin se do drejtojë fushatën.
“Anomalia kryesore e këtij arrestimi është momenti kur është vendosur, jemi në fillim të një fushatë zgjedhore, pikërisht për të shmangur një konflikt mes një politikani të padënuar dhe mundësia për t’u shprehur gjatë fushatës. Berisha, i akuzuar për korrupsion pasiv, është liruar nga arresti shtëpiak pas një viti dhe me shumë të drejtë Gjykata ka vendosur ta lirojë për të lejuar liderin e PD që të bëjë fushatë lirisht. E njëjta akuzë rëndon për Veliajn, por në të kundërt është futur në burg. Është një masë ekstreme dhe kjo për mua është anomalia e parë, që ka prodhuar edhe një efekt tjetër. Nëse shohim nga pikëpamja politike, një aksion që ka shkaktuar edhe reagime, është hera e parë që ndodh edhe nga kryeministri Rama, kundër një veprimi të tillë. Jo në mbrojtje të Veliajt, por në mbrojtje të një parimi që është demokracia. Pra, ju nuk mund të arrestoni një politikan në krye te detyrës dhe ne fillim te fushates pa një gjyq”, tha Bollino në emisionin Studio Live.
Për procesin ndaj Veliajt, Bollino shprehet se SPAK nuk ka treguar në dosje deri tani prova konkrete për korrupsionin dhe këtë rast e krahason edhe me drejtësinë italiane, ku thekson se me të njëjtin precedent atje mund të kishte nisur një procedim penal por jo arrestim.
“Me provat që ka nxjerr SPAK, në Itali nuk kishte ndodhur asnjë arrestim, edhe ne se kishte nisur një procedim penal. Për të çuar në arrest duhen prova flagrante dhe në rastin konkret nuk ka te pakten deri tani. Nuk është provuar korrupsioni, pse korrupsioni sipas kodit është përfitim i padrejtë i dickaje që dikush përfiton përmes ryshfetit. SPAK ka teorizuar dy elementë: rastet e lejeve të ndërtimeve, që ato biznesmenë që janë në detyrim paraqitjeje, kanë përfituar leje. Një nga ata ndertues Fatmir Bektashi, është ndërtuesi i klubit Partizani dhe ortaku i Jamarber Malltezit. Pra, teoria e SPAK është që armiku kryesor i Veliajt ka korruptuar Veliajn. Kjo është një kontradiktë logjike. Megjithatë, të përdorësh një leje ndërtimi si provë e një korrupsioni është element shumë i dobët. Sot, Veliaj ka bërë publike një shifër që në vitet kur ka qenë në krye të Bashkisë janë lëshuar më shumë se 20 mijë leje ndërtimi dhe rastet e korrupsionit të dyshuara sipas SPAK janë vetëm 5”, thekson Bollino.
Pra, sipas Bollinos SPAK nuk ka vërtetuar të paktën në dosjen e botuar, që as lejet e ndërtimit dhe as tendera të jenë fituar në formë të padrejtë, për të justifikuar edhe ryshfetin: “Ja pse korrupsioni është një vepër penale shumë e vështirë për ta faktuar. Nga ana tjetër nëse e mirëkuptoj nga ana njerëzore (si një prind i një djali 7-vjeçar, të cilit i kanë thënë që babai është në SHBA për punë), nuk jam dakord me kritikat personale që zoti Veliaj ka bërë ndaj gjyqtarit dhe prokurorit që e kanë arrestuar, pasi të njëjtën gjë ka bërë edhe Sali Berisha, Argita dhe Jamabër Malltezi bashkë me të gjithë klanin e PD! As nuk vlerësoj gjithashtu tonet agresive e denigruese ndaj Erjon Veliajt që kam dëgjuar nga ana e prokurorit gjatë seancës. Edhe pala e akuzuar edhe prokurorët duhet të qëndrojnë më të ftohtë në një proces gjyqësor. Nuk duhet ta përjetojnë si çështje personale. Edhe ne se pavarësinë e vërtetë duhet ta tregojnë mbi të gjitha gjyqtarët!''
Ndërsa thekson se PS është iniciatore e reformës në drejtësi, Bollino shprehet se reagimi i Ramës për herë të parë mbi drejtësi erdhi pas rastit të Veliajt, të cilin nuk po e mbron për akuzat e ngritura, por po kërkon parime demokratike dhe rregulla, që është një debat krejt normal dhe i hapur në çdo vend europian. Bollino thekson se i vetmi rrezik real SPAK-ut i vjen nga Berisha, pasi ai nuk harron dhe hakmerret.
“Berisha kur të merr inat vazhdon me shekuj, kjo është tradita. Ai ka inat me mua që nga ‘93 dhe që atëherë vazhdon pa ndërprerje. Berisha kështu është. Në rastin tim, ai është një lider demokratik që urren fjalën e lirë. Ai tani akuzon SPAK se i ka bërë një shkelje familjare se e arrestoi vetë dhe dhëndrin, i ka sekuestruar prona, ia ka prekur në xhep familjen dhe natyrisht e urren SPAK, urren një drejtësi të pavarur, urren një drejtësi që nuk e kontrollin dot siç ka bërë për vite të tëra. Është një urrejtje që Rama nuk e ka. Rama nuk e ka sulmuar asnjëherë SPAK, PS ka qenë iniciatore e një drejtësie të pavarur, është fakt që PS e ka mbrojtur gjithmonë SPAK, deri në këtë moment, qëndrimi i Ramës është ndryshe nga qëndrimi i Berishës. Është kritik, por jo për mbijetesën e SPAK. Në asnjë moment nuk e ka akuzuar SPAK si strukturë kriminale siç e ka bërë Berisha e Këlliçi që duan ta shkrijnë. Rama tha që ne pretendojmë edhe nga SPAK standarde, që po kërkohen edhe nga Bashkim Europian”, vijon Bollino.
Sa i takon zgjedhjeve, Bollino thotë se njërit krah të politikës nuk mund t’i hiqet futbollisti më i mirë para finales, dhe krahut tjetër i lirohet futbollisti i tyre.
“Të arrestosh numrin 2 të PS, të paktën nga pikëpamja e opinionit publik, i ke hequr nga fusha një nga futbollistët më të mirë. Rama është atje, por Veliaj ishte një nga futbollistët më të mirë në fushën e PS për Tiranën. Nga kjo pikëpamje, SPAK e ka bërë një veprim që ndikon në atmosferën dhe frymën e fushatës zgjedhore. Mendoj se nëse ka një ndikim në zgjedhje mund të vijë nga kjo frymë që SPAK krijon më shume se sa nga trampizimi që propagandon Berisha”, thekson Bollino. Në fund të fundit, drejtësia është edhe çështje perceptimi, dhe duhet të ishte edhe në interesin e SPAK që nëpërmjet veprimeve të veta të perceptohet si një strukturë realisht e pavarur dhe larg nga politika.
Komente

Ka nje parim shume te vjeter per Drejtesine"Me mire 100 fajtore te lire se nje i pafajshem ne burg".Ols prokurori ka munguar ne ate ore leksioni,le qe ka qene shume i dobet.
Përgjigju