Nuk ka krahasim më domethënës për të përshkruar situatën aktuale politike sesa ajo mes dy fotografive të marra sot në Tiranë: në njërën, 52 liderët e Europës të mbledhur rreth Edi Ramës në një konferencë ndërkombëtare; në tjetrën, një grup i vogël militantësh, të thirrur nga Sali Berisha, për të protestuar kundër rezultatit të zgjedhjeve, vetëm disa qindra metra më tutje. Edhe një herë, sheshi i thirrur nga kjo opozitë mbeti bosh, dhe ky është treguesi më i qartë, përtej çdo gënjeshtre, që rezultati i zgjedhjeve ishte i drejtë. Votimi që doli nga kutitë pasqyron humnerën e mbështetjes që ndan këto dy forca politike. Sali Berisha është një lider i mbaruar dhe i vetmuar, i cili ka fundosur në vetminë e votave edhe Partinë Demokratike që dikur ishte një forcë dominuese. Populli, në emër të të cilit Berisha pretendon ende të flasë, e ka braktisur. Në protestën e sotme, organizuar për të denoncuar të ashtuquajturën “masakër zgjedhore”, nuk ishin më as militantët e tij.
Për vite me radhë, Berisha ka përdorur gënjeshtrën si armën e tij kryesore politike, por tashmë askush nuk i beson më. Në fund të fundit, është viktimë e vetvetes. Gënjeshtra e tij e fundit u tha në prag të votimeve të 11 majit, kur u betua para mbështetësve se që nga dita pas zgjedhjeve, ai do të ishte kryeministri i ri i vendit. Një premtim që binte ndesh me çdo parashikim dhe që u kundërshtua nga pesë sondazhe të pavarura. Një premtim që duhej besuar vetëm si akt besimi, si një gjest i fundit dashurie. Por rezultati i votimit tregoi se edhe këtë herë Berisha kishte gënjyer. Edhe besimi u tradhtua.
Prej pesë ditësh ai përpiqet të ngjitet mbi një mal pasqyrash, duke gënjyer sërish, duke deklaruar se vota është vjedhur, se ka “plot prova” të cilat nuk i tregon, se premtimi i tij ishte i ndershëm dhe se Edi Rama nuk do të gëzojë kurrë mandatin e katërt si kryeministër. Askush nuk i beson më. Të parët që e përgënjeshtruan ishin vetë liderët e të gjithë Europës, të mbledhur sot në Tiranë duke uruar Edi Ramën për suksesin elektoral. Nga Macron te Merz, nga Meloni te Von der Leyen, të gjithë ishin aty. Dhe përtej kordonit të sigurisë së ngritur nga policia, Sali Berisha, me një megafon në dorë dhe pa zë, bërtiste përpara pak pasuesve të mbetur, premtimin e tij të rremë më të fundit.
Fotoja e grupit në këtë samit politikisht të paharrueshëm për Shqipërinë e vogël do të hyjë në histori. Ndërsa imazhi i Berishës me megafonin do të harrohet shpejt. Bashke me shpifjet e tij, ato të përsëritura edhe sot, kur, pa qenë as në listën e folësve zyrtarë, foli vetëm në një nga sesionet e mbyllura, të një forumi të së djathtës botërore të mbledhur në Bruksel. Në fund të punimeve, u votuan 5 rezoluta, por nuk pati asnjë fjali as për Shqipërinë dhe as për denoncimet e Berishës. Me një anglishte të pasigurt dhe duke lexuar me vështirësi nga një iPad, interpretoi vajtimin e tij para partive “motra”, duke iu lutur për mbështetje për të “zbuluar masakrën zgjedhore” të kryer nga Edi Rama. Një masakër, sipas tij, e realizuar nga një Shqipëri që Rama e ka kthyer në një “narkoshtet”. Një narkoshtet në të cilin, ndërkohë, kishin mbërritur të gjithë liderët e Europës, të gjithë gjoja bashkëpunëtorë të narkomafies, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, dhe Presidenten e Komisionit europian, Ursula Von der Leyen, të tre, ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të së djathtës europiane. Të gjithë ishin sot në Tiranë me Edi Ramën, ndërsa Sali Berisha ishte vetëm në Bruksel.
Prandaj ato dy foto të vendosura përballë njëra-tjetrës tregojnë dy fytyrat e realitetit tonë. Tregojnë Shqipërinë e vjetër, tashmë pa zë, dhe Shqipërinë e së ardhmes. Sali Berisha le të dorëzohet: gënjeshtrat e tij nuk mashtrojnë më askënd.
Komente

Me shume jan liderat europian sesa njerez ne mitingun e PDH
Përgjigju