Editorial

Carlo Bollino: Protesta madhështore dështoi, mbeti një miting partiak pa entuziazëm

8 Shkurt, 20:07| Përditesimi: 8 Shkurt, 20:23

  • Share

Protesta madhështore që prej vitesh ëndërron ta mbledhë Sali Berisha, dështoi sërish. Populli shqiptar qëndroi edhe këtë herë në shtëpi dhe ata që u dyndën në rrugë për të duartrokitur liderin e tyre, ishin 3000-4000 militantët e zakonshëm nga të cilët nuk varet fati i zgjedhjeve. Nuk pati asnjë protestë dhe në vend të saj u zhvillua një miting i zakonshëm i partisë. Vëtëm tre muaj para votimeve, ky përbën një problem të madh për Partinë Demokratike dhe aleatët e saj.

Nuk mjaftoi rreshtimi i Arben Ahnmetajt në radhët e ish-pushtetarëve për të bindur elektoratin gri të ndryshonte mendje dhe të besonte në akuzat e Sali Berishës. Nuk mjaftoi të nxirrte një listë reale apo të supozuar skandalesh qeveritare nga mëngjesi në mbrëmje, për të bindur popullin të dilte në rrugë dhe të kërkonte ndryshimin e partisë në pushtet. Kjo nuk do të thotë se të gjithë shqiptarët e duan ende Edi Ramën, por padyshim që do të thotë se ata që e urrejnë Sali Berishën janë shumë më tepër.

Problemi me këtë opozitë të përbërë kryesisht nga qeveritarë të mëparshëm, të cilët vetëm tani kanë filluar të paguajnë për mëkatet e tyre përpara drejtësisë, është se ata ia kanë besuar fatin e tyre në duart e njeriut të gabuar. Për të mposhtur Edi Ramën, votuesit duhet të shohin një alternativë më të mirë përballë tij dhe Sali Berisha, përkundrazi, është alternativa më e keqe e mundshme.

Gjuha e tij plot urrejtje dhe shpifje i mban larg njerëzit normalë, të cilët tashmë janë të bindur se ai gënjen edhe kur thotë të vërtetën. Militantët e besojnë sepse nuk kanë alternativa, ndaj e ndjekin në rrugë me iluzionin se ëndrra e ndryshimit të qeverisë do të realizohet. Ata shpresojnë që tani është radha e tyre. Por mungesa e entuziazmit e treguar të shtunën në bulevard, dëshmon se edhe besimi i tyre po bie: Më shumë se një fillim i fushatës për ndryshimin e qeverisë, ngjante ne fakt si një vizitë ngushëllimesh për një lider të mbaruar. Nëse pas militantëve partiakë nuk dalin në rrugë edhe njerëzit pa parti, ata nga të cilët varet gjithmonë fitorja e revolucioneve, rezultati i 11 majit duket i shënuar që tani.

Sikur të vazhdonin të votonin vetëm militantët nga të dyja palët, Partia Socialiste do të fitonte sërish, sepse militantët socialistë kanë qenë gjithmonë më të shumtë në numër se ata "demokratë". Por për Edi Ramën nuk votojnë vetëm mbështetësit, por edhe mijëra e mijëra kundërshtarë të Sali Berishës që i tremben kujtimit, dhunës, hakmarrjes së tij. Edi Ramën e votojnë edhe ata që i frikësohen familjes së Sali Berishës që qeverisi vendin dhe institucionet e tij në hije nga viti 2005 deri në 2013 dhe të gjithë e mbajnë mend se çfarë ishte në gjendje të bënte. E kujtojnë mësues, studentë, policë, ushtarë, gazetarë, punonjës të administratës publike dhe gjyqtarë. Dhe këtë e mbajnë mend edhe diplomacitë perëndimore. Ja pse ndërkombëtarët vazhdojnë të falin gabimet e Edi Ramës: Sepse e dinë mirë që Sali Berisha ishte shumë më keq se ai.

Kur të gjitha këto do të mund të ndryshojnë dhe Edi Rama do të mbjellë më shumë urrejtje dhe frikë në vend se sa ka mundur të bëjë kundërshtari i tij politik, atëherë atë ditë dhe vetëm atë ditë mitingjet partiake do të bëhen protesta popullore. Dhe vetëm atë ditë, ai që i udhëheq, do të jetë në gjendje të bëhet gati për të fituar pushtetin.

a.m./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha planifikon të shpërbëjë SPAK nëse fiton më 11 maj, çfarë mendoni?