Në të gjithë sondazhet që prej muajsh paraprinë zgjedhjet e fundit politike, Sali Berisha dilte gjithnjë një lider në rënie, me një pëlqim shumë më të ulët nga çka arrinte të merrte Lulzim Basha, më i lartë vetëm nga Ilir Meta që ishte përherë në fund të listës. Edhe në votimet e 25 prillit, 6772 votat e marra nga doktori, ishin sa një e treta e atyre të mbledhura nga kreu i PD-së. Atëherë, si shpjegohet që papritur, ky raport force duket se është përmbysur dhe Sali Berisha tani po grumbullon mijëra mbështetës?
Në të vërtetë, forca misterioze që duket se ka bërë të rilindë Sali Berishën nga hiri i historisë së tij politike, është thjesht frut i një manipulimi që po prodhon një iluzion mes militantëve të PD-së. Të shkatërruar psikologjikisht nga humbja e papritur prej tyre e 25 prillit, vetëm pak muaj më pas, duket se ata po rifillojnë të ëndërrojnë. Pasi dëgjuan gafën e Lulzim Bashës që përkufizonte disfatën zgjedhore vetëm si “fillimin e betejës”, ja që vjen si një yll kometë Sali Berisha. Arsyeja e vërtetë e kthimit të tij në fushën e betejës militantëve nuk iu intereson, ata preferojnë t’i besojnë një ëndrre. Përballë perspektivës së 4 viteve të tjera larg pushtetit, militantët më të apasionuar të Partisë Demokratike, zgjedhin në fakt të besojnë premtimet e doktorit plak, që me retorikën e tij të kolauduar mirë, arriti të bëjë të përjetojnë përmes Foltores emocionet e zjarrta të një fushate zgjedhore. Përmes tij, militantët e opozitës, është sikur të jenë zgjuar nga një makth, të gjithë të ngujuar të të njëjtit iluzion që i ka katapultuar sërish në një botë paralele, ku 25 prilli nuk ka ndodhur ende dhe ku për pak javë do ketë zgjedhje përsëri. Beteja e 11 dhjetorit në vend të Kuvendit që rrezikon të ndajë më dysh partinë e opozitës duke larguar gjithnjë e më shumë perspektivën e një kthimi në qeverisje, po përjetohet si një shans i dytë për të mundur Edi Ramën dhe për të rimarrë kryeministrinë.
E vërteta është se ky iluzion lind nga një mashtrim i madh. Sali Berisha ia doli t’iu shesë njerëzve të tij pikërisht atë që njerëzit e tij kërkonin. Faji i tij më i madh është se fshehu pas zhgënimit të popullit demokrat, etjen e tij për hakmarrje personale dhe kërkim të dëshpëruar për imunitet për veten dhe familjen e tij. Mjafton ta dëgjosh për ta kuptuar. Ai premton të përmbysë “regjimin” e Edi Ramës ashtu siç nuk diti ta bëjë Lulzim Basha, por i vetmi plan që vazhdon të propozojë është saktësisht i njëjti që ai dhe Basha bashkë, e përdorën pa rezultat për tetë vite: Protestat. “Pas 11 dhjetorit do të sjellim 100.000 vetë në shesh”, paralajmëron ish-presidenti Bujar Nishani, i konsideruar si një prej berishianëve më të moderuar. Po përse këta 100.000 persona në shesh, të aftë të “rrëzojnë regjimin”, PD nuk arriti t’i sjellë asnjëherë kur jo vetëm Berisha, por bashkë me të Basha, Paloka, Nishani e madje edhe Ilir Meta dhe Monika planifikonin vetëm këtë punë? Kush i pengoi? Askush, e me siguri nuk i pengoi Luli i gjorë.
“Ne do të protestojmë dhe nuk do të tërhiqemi si bëri Basha”, premtojnë berishianët më radikalë. Sikur Basha nuk u përpoq të qëndrojë në shesh për javë të tëra. Ishin kohët e çadrës, ajo që u mbyll më pas me urdhër të komunitetit ndërkombëtar dhe jo sepse donte Basha ta mbyllte. I kemi parë se si përfundojnë protestat në shesh çdo herë që opozita përpiqet t’i përdorë për të rrëzuar qeverinë. Duke filluar nga ato të nisura në shtator të 1998, ku çdo natë Sali Berisha përpiqej të digjte kryeministrinë me shishe molotov apo të sulmonte komisariate me granatëhedhëse. Përfundoi me Berishën dhe Palokën me pranga të shoqëruar nga policia me urdhër të Ilir Metës dhe me doktorin që dridhej vetëm nga ideja e kalimit të një nate në burg. Aq mjaftoi për të shuar ëndrrat e tij revolucionare, pasi nga dita e pasme protestat u shuan.
Kush sot mashtron militantet e PD-së duke thënë se Berisha i konsideruar person “non grata” nga Shtetet e Bashkuara nuk do të dëmtojë partinë kur të kthehet lider “pasi amerikanët janë pragmatikë”, duhet të sjellë në mendje pikërisht atë që ndodhi pas protestave të 1998. Komuniteti ndërkombëtar izoloi Sali Berishën, dhe si ai, ashtu dhe eksponentë të lartë të PD-së u përjashtuan për vite me radhë qoftë edhe nga pritjet në ambasada. Ishte person “non grata” de fakto që nga atëherë. Nuk ishte e nevojshme që Departamenti i Shtetit të shprehej mbi të publikisht për ta dënuar të qëndronte në opozitë për 7 vite të tjera. Sot, pasi po sfidon dënimin zyrtar të Shteteve të Bashkuara, ka të ngjarë të qëndrojë 14 vite të tjera larg pushtetit.
Berisha dhe berishianët mashtrojnë mbështëtësit e tyre duke i bërë të besojnë se doktori di të bëjë opozitë më mirë se Basha dhe se pas 11 shtatorit Edi Rama, falë doktorit, do të shpartallohet më në fund. E kemi parë Sali Berishën edhe në opozitë: nga 2013 në 2017 ishte në parlament çdo të enjte, i lirë të monipolizonte me ndërhyrjen e tij të gjithë kohën që i përkiste Partisë Demokratrike dhe më tej. Ilir Meta ia lejoi të fliste me qindra orë në sallë përtej rregullores, orë e orë propagandë berishiane e transmetuar direkt në televizion në gjithë vendin. Dhe pastaj duke shkruar përditë në Facebook, mijëra postime në emër të një “qytetari digjital” inekzistent, pseudonim i shpikur për t’u fshehur pas artit të tij më të mirë, atë të shpifjes ndaj kundërshtarëve dhe qytetarëve të thjeshtë. Për vite e vite ai “qytetar dixhital” ishte dhe burimi për mijëra artikuj të publikuar në të gjitha faqet e para të gazetave, në homepage të mijëra portaleve, dhe lajme të para në dhjetëra edicione televizive, duke prodhuar një zinxhir të pafund lajmesh të rreme. E pamë Berishën edhe të zbriste në shesh duke djegur muzeume dhe institucione, në vitet pas 2013, kur nga të gjithë konsiderohej si lideri i vërtetë i opozitës, ndërsa Lulzim Basha ishte i detyruar të qëndronte në rresht të dytë. Dhe megjithatë në 2015, pikërisht ajo parti e udhëhequr nga Sali Berisha humbi zgjedhjet administrative dhe në 2017 humbi sërish zgjedhjet politike.
E pamë Sali Berishën edhe më pas, nga 2017 deri në 24 prill 2021, gjithnjë në rresht të parë para dhe pas bojkotimit të kuvendit, gjithnjë i pranishëm në shesh gjatë protestave dhe në marshimet e partisë, me dhëndrrin dhe vajzën miliarderë duke bërë selfie ndërsa në sfond militantët përpiqeshin të digjnin qeverinë dhe parlamentin. E megjithë këtë, me 25 prill, PD e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës humbi zgjedhjet prapë.
Është që nga vendoret e vitit 2011 qe Sali Berisha nuk fiton një palë zgjedhje, dhe edhe atëherë arriti ta merrte bashkinë e Tiranës vetëm nëpërmjet manipulimeve me vota të pavlefshme. Plot 10 vite si humbës. Pra, cili është ilaçi misterioz që doktori do ta nxirrka nga “kapelja” pas 11 dhjetorit, duke premtuar atë që nuk arriti të bëjë dot për 10 vite? Nëse do ta kishte më të vërtetë këtë formulë speciale për të shpartalluar “regjimin” e Edi Ramës, Sali Berisha do ta kishte përdorur tashmë në 5 palë zgjedhje që i ka humbur që nga 2013 e tutje, i mundur disa herë më shumë se Lulzim Basha.
Ja përse është e pabesueshme se si mijëra militantë të partisë së tij janë të bindur sërish se ai është Shpëtimtari. Të gjithë të errësuar për shkak të zhgënjimit të humbjes së tyre më të fundit, e për këtë arsye, lehtësisht viktima të një iluzioni gjigand. I njëjti iluzion që e bën të besojë Sali Berishën dhe familjen e tij se Foltorja mund ta shpëtojë nga fundi i tij politik. Por më e shumta që mund të arrijë, është të fundosë edhe PD-në bashkë me veten.
Ndersa Berisha eshte ne prag rikthimi, skalioni "soft" i organizates rilindja i kundergihet me cdo forme dhe menyre edhe pse ne mungese te fakteve apo provave. Si te gjithe ata qe shijojne benefitet e te qenurit nen ombrellen e pushtetit, nje ndryshim kercenon qetesine e tyre. Berisha ka humbur vendoret e 2011, perkunder PS dhe sidomos LSI. Ai humbi dhe mandatin e dyte, por LSI e te ndjerit Prifti i erdhi ne ndihme. Te te njejtit qe u vu nen sherbim te Rames dhe Doshit me pas. Berisha humbi ne 2013 serish ndaj PS dhe LSI. Nuk e di nese mund te thuhet se humbi ne 2017 apo 2021. Dy zgjedhjet e fundit jane me te keqijat qe jane pare nga kohe e komunizmit. Ca per shkak te lojes dhe eksperimenteve nga DASH por sidomos kapjes totale te shtetit nga nje grusht kusaresh me ne krye Ramen. Nuk ka ndonje rendesi cfare ben Berisha. Por cfare bejme ne te gjithe per nje qeverisje te denje, te mire nga te zgjedhur ne menyre te lire dhe te ndershme?
PërgjigjuKy I shkret ka rrjedhur me koh,por gjynah per demokratet e ndershem qe i besojn ketij hajvani. Me kete opozit EDI Rama do rrij ne pushtet deri ne vitin 2033 dhe me keqja eshte se drejton si ti doje qejfi dhe shqiperia ska mir te jet pa opozit. Gjynah qe partia me e madhe e opozites mund edhe te ndahet dysh.
PërgjigjuNese qytetaria shqiptare pret frutet e para te Reformes 5-vjecare ne Drejtesi,ju pjesa me e respektuar e analizes politike ne Shqiperi e gjeni me me vlere te merreni me kufomen shetitese non-grata. Keqardhje e thelle qe vendi yne nuk e ka,prej tri dekadash ,Te Djathten patriotike,qe i nevojitet.
Përgjigju