Editorial

Carlo Bollino: Rinumërimi i kutive, akti i fundit i korrupsionit dhe shpërdorimit i një politikani të mbaruar

10 Qershor, 18:04| Përditesimi: 10 Qershor, 19:10

  • Share

Strategjia e Partisë Demokratike për të siguruar, nëpërmjet dy anëtarëve të saj “të pavarur” të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) rinumërimin e mijëra kutive të zgjedhjeve të 11 majit, është vetëm maskarada e fundit e një politikani të mbaruar. Kodi Zgjedhor parashikon në nenin 136/3 mundësinë që edhe vetëm dy anëtarë të KAS të mund të urdhërojnë rinumërimin e fletëve të votimit “pa iu nënshtuar debatit ose votimit në KQZ”. Një opsion i parashikuar me ligj si garanci kundër abuzimeve nga shumica, por që Sali Berisha tani e ka transformuar në një abuzim nga pakica.

Dy anëtarët e KAS që votuan të vetëm kundër të gjithëve, janë thjesht bashkëpunëtorë të tij, të cilët për t'i pëlqyer plakut tani të mbaruar, kanë zgjedhur të heqin dorë edhe nga forma e tyre e fundit e pavarësisë që çdo gjyqtar duhet ta ruajë. Është e njëjta provë besnikërie që në vitet kur Berisha ishte në pushtet, kishte transformuar qindra gjyqtarë dhe prokurorë në veglat vulgare të pushtetit të tij. Tani atij i kanë mbetur vetëm dy për të kontrolluar.

Prova e maskaradës së ngritur nga Sali Berisha për të fituar kohë duke kërkuar rinumërime, për të shtyrë shpalljen zyrtare e humbjen madhështore për në verë dhe për të fshehur debatin e brendshëm në partinë e tij që sipas statutit parashikon dorëheqjen e tij, qëndron në faktin se kurrë deri më sot, Berisha dhe PD-ja nuk kishin kërkuar rinumërim. Në fakt, midis të gjitha hipotezave imagjinare për të argumentuar "masakrën zgjedhore", Berisha nuk ka akuzuar kurrë ndonjë anëtar socialist të qendrave të votimit ose të KZAZ se ka manipuluar procedurat e numërimit të fletëve të votimit, të cilat u nënshkruan dhe u pranuan edhe nga komisionerët e opozitës. Ndërkohë që pikërisht shkelja në procedurën e numërimit është i vetmi krim zgjedhor që mund të vërtetohet (dhe anulohet) nëpërmjet rinumërimit të kërkuar.

Teoria e masakrës zgjiedhore të shpikur nga Berisha ka të bëjë me tema të tjera, siç dokumentohet në atë rezolutë qesharake që PD paraqiti më 30 maj në asamblenë e përgjithshme të IDC-CDI, e cila bashkon 108 parti të krahut të djathtë dhe e cila kufizohet në ribotimin e të gjitha shpifjeve që Berisha përsërit çdo ditë deri në atë pikë sa t'i besojë ato. Këto shpifje renditen në rezolutë sikur të ishin "provat" e farsës elektorale: presion mbi votuesit, përdorim i administratës publike, shpërblim prej 100 eurosh të dhëna si dhuratë për pensionistët, heqje e gjobave, tender publik, blerje masive votash, ndikim nga mediat, keqpërdorimi i burimeve publike, bashkëpunimi me kriminelë, ndjekje gjyqësore ndaj liderëve të opozitës, pandëshkueshmëri institucionale…

Siç mund të shihet në listën e gjatë të shpifjeve, nuk ka asnjë akuzë në lidhje me "manipulimin e procedurës së numërimit të fletës së votës". Domethënë, Sali Berisha pretendon se zgjedhjet u vodhën para votimit, dhe madje edhe pse ka shpikur përdorimin e të ashtuquajturit "treni bullgar", nuk ka të bëjë me numërimin e fletëve të votimit, por me lirinë me të cilën do të kishin votuar votuesit e përfshirë. Por atëherë, çfarë lidhje kanë të gjitha këto akuza me rinumërimin e votave? Asgjë, në fakt ato nuk kanë të bëjnë fare me të.

Rinumërimi i dhuruar nga dy anëtarët PD-istë të KAS është thjesht një mashtrim politik. Rinumërimi i votave do të konfirmojë rezultatin e 11 majit. Sali Berisha e di që tani, siç e ka ditur gjithmonë edhe para 11 majit, se nuk do të jetë më kurrë Kryeministër i Shqipërisë. Koha e tij politike ka mbaruar. Problemi i tij tani është si t’ua thotë këtë klanit të tij politik, duke tentuar të shpëtojë sadopak fytyrën. Pse përpara popullit shqiptar, fytyrën e ka humbur prej vitesh. Prandaj edhe një herë, pa asnjë respekt për institucionet dhe për fondet publike, po përpiqet ta vonojë vendimin elektoral që do t’i jetë fatal. Rinumërimi i mijëra kutive me shpenzime në kurriz të Shtetit, është vetëm akti i tij i fundit i shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit politik.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?