Këtë të shtunë në orën 18:00 në Arabinë Saudite do zhvillohet gara e dytë e sezonit të ri në Formula 1. Në prag të garës Ferrari ka marrë një lajm jo të mirë, me pilotin Carlos Sainz që nuk do jetë në garë.
"Kokëkuqja" ka njoftuar në kanalet e komunikimit se Sainz do i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e apendicitit dhe do mungojë në cirkuitin e Jeddah.
Për këtë arsye Ferrari do e zëvendësojë spanjollin me Oliver Bearman, pilotin rezervë. Anglezi i lindur në 2005 nuk i ka mbushur ende 19 vjeç dhe është pjesë e Akademisë së Pilotëve të Ferrarit.
Të gjithë sytë janë tani te Bearman, i cili fitoi kampionatin italian dhe gjerman të Formula 4 në 2021, duke u bërë piloti i parë në histori që fiton të dy kampionatet në të njëjtin sezon.
Në vitin 2022 ai u përzgjodh nga Akademia e Pilotëve të Ferrarit. Shumë besojnë se Bearman është i destinuar të bëhet superylli i ardhshëm britanik i F1 dhe duke bërë debutimin e tij me Ferrarin, ai ka mundësinë të tregojë potencialin në pistë.