Një spektakël tingujsh me më shumë se 170 artistë në skenë ishte ajo e mbrëmjes së kësaj të mërkure në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Kryevepra botërore e kompozitorit gjerman, Carl Orff erdhi për publikun edhe me interpretimin e Korit të Zërave të Bardhë, i cili iu bashkua profesionistëve. Nën drejtimin e maestros Sergio Alapont dhe maestro Dritan Lumshit, shfaqja do të vijë edhe sonte për të interesuarit, ndërsa në të interpretojnë soprano Eva Golemi, Nina Muho, tenori Matias Xheli dhe baritoni Armando Likaj.
“Është një personazh shumë delikat roli i sopranos të cilin performoj në këtë vepër. Në një nga pjesët e saj flet për dashurinë e vajzës në lëndinë, për delikatesën, për epshet që përmban, dashurinë që përçon dhe përveç përmbajtjes që ka personazhi im e gjithë vepra është jashtëzakonisht emocionuee, ku impakti i parë duket se flet për rrotën e fatit, ajo rrotë e cila të ngre dhe ul fuqishëm, me apo pa dijeninë tënde. Mënyra si është shkruar ana muzikore është rënqethëse.”, - thotë sopranoja Nina Muho.
Baritoni Armando Likaj e cilëson rolin e tij shumë kompleks sa i përket anës vokale.
“Është një ndër rolet më sfidues nga ana e teknikës vokale baritonale. Mesazhi i fortë i kësaj vepre është që luan me tensionin e përjetshëm të njeriut nga ajo e të shenjtës, te ajo e profanes. Mes qëndresave të forta të pyetjeve, që shpesh nuk marrin përgjigje dhe lirisë që ka dhe kërkon njeriu.”, - nënvizon Likaj.
“Carmina Burana” është një kantatë e kompozuar në 1935-1936, bazuar në 24 poezi nga një koleksion mesjetar poemash të shkruara në latinisht dhe gjuhë të tjera të Mesjetës. U interpretua për herë të parë nga Oper Frankfurt më 8 qershor 1937. Është pjesë e Trionfi, një triptik muzikor që përfshin gjithashtu “Catulli Carmina” dhe “Trionfo di Afrodite”. Pjesa e parë dhe e fundit e pjesës quhen “Fortuna Imperatrix Mundi” (“Pasuri, Perandoresha e Botës”) dhe fillojnë me muzikën e fuqishme të “O Fortuna”.
Komente
