CAS-i 'djeg' Partizanin, futbollistët e piketuar në merkato firmosin me klube të tjera! Të kuqtë: S'ka ende datë për gjyqin 'Çinari'

31 Gusht 2020, 11:14| Përditesimi: 31 Gusht 2020, 11:17

  • Share

Asnjë datë gjyqi nga CAS, në kulmin e merkatos, fakt i cili pritet të kushtëzojë shumë Partizanin e sezonit të ardhshëm. Klubi i kuq është me sytë nga gjykata e albitrazhit sportiv në Lozanë, që deri më sot nuk e ka futur fare në axhendë çështjen 'Çinari', për të cilën Partizani u dënua nga FIFA me bllokim në dy sesione merkatoje, plus 80 mijë euro gjobë.

Burime të Report Tv brenda klubit bëjnë me dije se 'CAS' nuk i ka lajmëruar ende për një datë gjyqi'. Si do të ishte përgjigjja klubi do të merrte masat për sezonin e ardhshëm, por aktualisht është një situatë 'as mish as peshk'.

Kjo ka bërë që ekipi i drejtuar nga Ilir Daja të humbasë objektivat në merkato, e cila përfundon me datë 20 shtator. Koha e paktë e mbetur në dispozicion ka detyruar futbollistët të nënshkruajnë me klube të tjera. Sabien Lilaj, i piketuar për mesfushën ka firmosur me Prishtinën, ndërkohë mbrojtësi i majtë Gledi Mici, është shumë afër një skuadre në Kosovë, siç ai vetë ka bërë me dije. Edhe mbrojtësi Eni Imami, i afruar më herët, e ka të pamundur të firmosë në këto kushte.

'Kemi dy plane, A dhe B,'-ka deklaruar më herët Ilir Daja. Me siguri tani plani A është 'djegur', ndërsa ai B nuk jep shumë shpresë. Pa futbollistë të afruar në merkato trajneri është shprehur se nuk mund të luftohet për objektiva që bluza e Partizanit synon.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?