Mundësi rus nga Çeçenia Zelimkhan Abakarov i ka sjellë medaljen e artë Shqipërisë në Lojrat Mesdhetare. Ai ia doli të fitonte finalen e kategorisë 65 kilogramë kundër egjiptianit Hafez, ndërsa më herët eliminoi serbin Micic dhe turkun Recep. Abakarov nuk ishte i vetmi çeçen që solli medalje për Shqipëri, pasi edhe Islam Dudav fitoi të bronztën në kategorinë 74 kilogramë.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes Sait Prizreni për Report TV thotë se Shqipëria mund të kishte fituar edhe medalje të tjera, por është i lumtur që dy mundësit e natyralizuar nderuan flamurin kuqezi.
“Të marrësh dy djem që janë të përgatitur, por edhe si popull çeçenët ngjajnë shumë në tradite dhe parime me shqiptarët. Unë mendoj se ka qenë një mundësi për mundjen dhe Shqipërinë. Për mua çdo individ që ngre flamurin shqiptar është i nderuar dhe i vlerësuar. Ne deri dje jemi krenuar me sportistët shqiptarë që garojnë për flamure të tjera, ndërsa sot kemi dy sportistë që vijnë nga shtete të tjera dhe garojnë për Shqipërinë,”-u shpreh Sait Prizreni, president i FSHM.
Medaljet padiskutim që sjellin optimizëm, por kur flet për të ardhmen e mundjes Prizreni është shumë pesimist.
“Jemi në një situatë shumë të vështirë përsa i përket brezave dhe numrit të sportistëve për shkak se ka një problem të madh. Për sport flitet vetëm kur merr medalje dhe kjo është një fatkeqësi e madhe,”-deklaroi Sait Prizreni, president i FSHM.
Ky vit sipas Prizrenit ka qenë shumë i vështirë për shkak të vonesës së fondit, ndërsa sqaron se nëse mbështetja do ishte e duhura atëherë rezultatet do ishin shumë më të larta.
“Mos të harrojmë që kemi patur një mungesë fondesh deri në muajin prill. Ka qenë shumë qesharak. Të ketë një vëmendje kaq neglizhuese për këtë sporte që sjellin medalje është për të ardhur keq. Unë shpresoj që këto medalje, këto rezultate të kthjellojnë drejtuesit, ministrinë, kryeministrin për politikat ndaj sportit,”-tha Sait Prizreni, president i FSHM.