Të paktën katër persona kanë vdekur dhe 23 të tjerë u plagosën kur një tren pasagjerësh u përplas me një tren mallrash në Republikën Çeke mbrëmjen e së mërkurës (5 qershor), shkruan CCN.
Ministri i Brendshëm çek Vít Rakushan, tha se përplasja ndodhi në qytetin Pardubice, rreth 100 kilometra në lindje të Pragës. Ministri Rakushan tha se asnjë nga të plagosurit nuk është në rrezik jete.
Sipas ministrit të Transportit Martin Kupka hekurudha kryesore midis Pragës dhe pjesës lindore të vendit është mbyllur në pritje të përfundimit të hetimeve.
“Ne nuk mundemi dhe nuk do të spekulojmë për shkakun e aksidentit", tha ministri Kupka.
Ekipet e shpëtimit thanë se më shumë se 300 udhëtarë ishin në trenin e shpejtë që po shkonte në qytetin Koshice në Sllovakinë lindore. Korridori në Pardubice, ku ndodhi përplasja, është jetik për hekurudhat Çeke, sipas të cilave linja ka të ngjarë të mbetet e mbyllur edhe nesër.
Thuhet se treni i mallrave mbante karabit kalciumi - një kimikat i rrezikshëm industrial - megjithëse dy vagonët e parë ishin bosh, kështu që nuk pati rrjedhje, tha departamenti i zjarrfikësve.
Kryeministri Petr Fiala e quajti aksidentin një tragjedi të madhe dhe u shprehu ngushëllimet e tij familjeve të viktimave.