Çekia merr sot presidencën e radhës të Bashkimit Europian, ku zgjerimi i bllokut nuk është lart në axhendë në listën e gjatë të prioriteteve të radhës për të udhëhequr Këshillin e Bashkimit Europian. Në krye të listës, Praga do të ketë Ukrainën.
Pas Polonisë, Çekia është vendi i BE-së që mbështet më fort Kievin, ku ka dërguar armë dhe tanke, e ka strehuar rreth 350 mijë refugjatë ukrainas.
Në ditën e fundit të presidencës franceze, Parisi zyrtar nxitoi të përmbushte kërkesën e Shkupit për të modifikuar propozimin e tij për heqjen e veto-s ndaj Mqedonisë së Veriut, ashtu siç kishte kërkuar pala maqedonase, duke pranuar disa nga vërejtjet e saj.
Arritja e një marrëveshjeje tani mbi këtë dokument, do t`i hapte rrugën zhbllokimit të procesit të integrimit europian.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovacevski tha se detajet e propozimit francez do të bëhen të ditura në ditët në vijim, por shtoi se aspektet historike – një nga çështjet më të ndjeshme në kontestin me Sofjen – nuk do të jenë pjesë e kornizës negociuese për anëtarësim në BE.
“Tashmë na mbërriti edhe zyrtarisht propozimi francez pas ndërhyrjes sonë javën e kaluar në Bruksel. Propozimi do të publikohet pasi të kalojë të gjitha filtrat në institucione. Do të pasoje një proces i gjerë në të cilin do të përfshihen edhe presidenti dhe opozita”, u shpreh Kovacevski.
Bullgaria anëtare e BE-së kishte refuzuar të miratojë kuadrin e negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi historinë dhe gjuhën. Por ligjvënësit bullgarë votuan për të lejuar qeverinë të heqë veto-n e saj pas ndryshimeve në tekstin e kuadrit që do të garantonte të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut përmes ndryshimeve kushtetuese dhe do të angazhonte Shkupin të mbajë marrëdhënie të mira me Bullgarinë.