Në një ceremoni madhështore në “Sheshin Skëndërbe”, u çel edicioni i 3-të i Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Një nismë e Qeverisë Shqiptare dhe nën kujdesin e veçantë të Minsitrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për 7 muaj me radhë, deri në Nëntor, Shqipëria do të bëhet sofra dhe bota bëhet mysafiri ynë.
E për ti mirëpritur ashtu siç duhet 20 shtetet pjesëmarrëse, në skenën e ngritur në zemër të Tiranës, realizuan një performancë të mrekullueshme, sa tradicionale e aq inovative, grupi i koreografit Andi Murra, “Shkodra Elektronic”, violençilisti Redi Hasa, kori iso-polifonik i grave “Zërat e Lumit” dhe kori Iso-Poligonik Shqiptar.
Teksa falenderoi anbasadorët e shteteve pjesëmarrëse, trupat diplomatikë, artistët e qytetarët e shumtë pjesëmarrës, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se shtetet pjesëmarrëse do sjellin në Shqipëri një sërë aktivitetesh, evente muzikore, performanca, ekspozita, shfaqje filmash, e shumë ngjarje multikulturore, të cilat do të mbushur salla, teatro e galeri arti, sheshe e agora qytetesh anembanë, sy e zemra komunitetesh.
“Të nderuar miq, ambasadorë, përfaqësues shtetesh e organizatash, artistë e artdashës, autoritete, kolegë e bashkëpunëtorë! Mirëse keni ardhur sot në çeljen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, që do të rrokin tërë vendin për 7 muaj rresht, deri në Nëntor, nisur nga Tirana, për të mbushur salla, Teatro e galeri arti, sheshe e agora qytetesh anembanë, sy e zemra, me programe të pasura aktivitetesh nga mbi 20 shtete! Kaleidoskop rrezesh e ngjyrash!
Nga nesër merr jetë Java e Europës, si rrënjë dhe perspektivë e jona, e para jo pa qëllim – e shtrirë në Gjirokastër, Shkodër e Tiranë!
Kalendari vijon me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarinë, Hollandën, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA-në, Kombet e Bashkuara, Austrinë, Spanjën, Malin e Zi, Meksikën dhe Kosovën! Fqinj apo miq të largët, në sofrën e dashur shqiptare, ditë e natë, si në shtëpinë tuaj!Kodi ynë gjenetik na thotë se shtëpia jonë është njëkohësisht edhe e zotit, pavarësisht besimit; edhe e robit – e mikut, pavarësisht prejardhjes, racës dhe ngjyrës; ndaj Shqipëria i do, i promovon manifestimet ndërkulturore dhe e nxit diversitetin! Jam i lumtur që Ministria e re e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka fatin të materializojë përmes Javëve Kulturore Ndërkombëtare mbështetjen e Qeverisë Shqiptare për një mision kaq fisnik sa kjo eksperiencë vëllazërimi mes kulturave e traditave të njerëzimit. Një falenderim i veçantë i shkon Bashkisë së Tiranës, por dhe bashkive të tjera që na mikpresin dhe që angazhohemi sëbashku! Mirënjohje trupave diplomatik për investimin në këtë vlerë të shtuar në njohjen mes qytetërimeve tona dhe forcimin e miqësisë mes popujve tanë”,- tha Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe.
Lajmi kryesor:
Tirana çel 'Javët Kulturore Ndërkombëtare', Veliaj: Sot e gjithë bota ka ardhur në Tiranë, arti dhe kultura i bashkojnë njerëzit
M.Q.//ReportTv.al