Foto ilustruese

Celeste nostalgia

7 Prill 2020, 17:38| Përditesimi: 7 Prill 2020, 17:43

  • Share

Më bëhet sikur jam në një breg. Ndiej rrobat e banjos të më shtrëngojnë qafën. Rëra më djeg këmbët e pamësuara me të nxehtin e një rërë ende të virgjër. Dielli duket sikur djeg vetëm në një pikë. Diku mes qafës dhe supeve. Mendoj për kosin me të cilin do të më duhet të lyej kurrizin. Ajo ndjesi gati-gati sublime që e kanë provuar vetëm ata që kosin e blinin me kavanoz, të trashë, qelqi jeshil. Trupi përvëlon nga idetë që më ziejnë në kokë.

Më bëhet sikur jam në adoleshencë. Sikur mezi pres të mbarojnë pushimet verore që ta takoj atë në pushimin e vogël mes lëndëve të padurueshme në një shkollë të mesme ku dashuria vërtitet në korridore si një virus që nuk do të zhduket.

Më duket sikur do të më fërshëllejë dikush poshtë ballkonit dhe nuk do të kem guxim të dal ta takoj. Më duket sikur komshia e një kati më lartë do t’i hedhë atij një kanë me ujë. Më duket sikur dikush ka nderur rrobat në tela, pa i shtrydhur mirë. Më duket sikur mbi kokë më pikojnë triko të trasha leshi të një dimri të shkuar në një qytet mbushur me politikë dhe pa poetë.

Shtyp rreshta dhe i fshij mbi një letër të padukshme që mund të mos kthehet kurrë në dicka që duhet të dalë në shtyp. Më duket sikur është e diel dhe pres në stacionin e autobusit me kurrizin mbështetur në murin e katit të parë ku banonin ata që kanë ikur. Më duket sikur po të ngre kokën dikush do të më flasë nga një dritare.

E di që nuk është e diel. E di që askush nuk do të dalë në dritare. Më pëlqejnë ëndrrat me sy hapur…

Komento

Komente

  • Ela: 09/04/2020 17:45

    Sa bukur , sa nostalgji... Faleminderit !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?