Kultura

Çelet edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit! Angjelin Preljocaj: Shfaqjet në rrugë, festivali i banorëve!

9 Tetor, 15:45| Përditesimi: 9 Tetor, 17:40

  • Share

Pa dekor, pa drita dhe fare thjesht, por me shumë energji, ritëm dhe bukuri! Kështu ka ardhur para publikut këtë të enjte trupa e kërcimit bashkëkohor G.U.I.D. (Grupi Urban i Ndërhyrjeve të Kërcimit) e kompanisë “Ballet Preljocaj” në një performancë para banorëve të zonës së Kombinatit në Qendrën Komunitare “Të qëndrojmë së bashku”.

Kjo performancë është e para e edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Dancit, që sipas drejtuesit të Angjelin Preljocaj synon të afrojë artin e kërcimit me familjet, të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara, duke krijuar shkëmbime dhe ura të reja komunikimi mes artistëve dhe qytetarëve, në të përditshmen e tyre.

“Këtë vit vendosëm të vijmë me kërcime që shkojnë nëpër lagje, në sheshe të qytetit, duke çuar dancin te publiku. Zakonisht është publiku që shkon në teatër, këtë herë është teatri, danci, që shkon te publiku. Do të donim të ishte festival që ta merrnin në dorë banorët e Tiranës dhe ta kuptonin që është festivali i tyre, me spektakle falas, që do të bëhen në sheshe, në rrugë, si ky që sapo patë. Ky festival sjell njerëz nga vende të ndryshme me qëllim për t’i njohur me Shqipërinë dhe mikpritjen dhe aspektin njerëzor që çlirohet nga shqiptarët.”, - thotë koreografi franko-shqiptar me famë botërore, Angjelin Preljocaj, drejtues artistik i festivalit.

Festivali do të vijojë deri më 25 tetor dhe do të sjellë në Tiranë 20 shfaqje, mes tyre 15 premiera dhe 3 krijime të konceptuara posaçërisht për edicionin e katërt, si dhe mbi 10 ngjarje publike falas në 11 hapësira të ndryshme të qytetit.

“Në këtë edicion kam ardhur me dy pjesë të vogla në miniuaturë që do të vihen në skenën e teatrit të Metropolit. E gjithë kjo për t’i lënë më shumë vend kompanive të tjera ndërkombëtare e për të mos e zënë vendin vetëm produksionet e mia të mëdha.”, vijon Preljocaj.

Në bashkëprodhim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Bashkisë Tiranë, festivali sjell për herë të parë një program të hapur për publikun, që e vendos kërcimin në një rrugëtim urban në hapësira historike dhe sociale të qytetit. Performancat këtë vit do të zhvillohen në Teatrin Metropol, Teatrin Kombëtar të Kukullave, si dhe në hapësira alternative si Vila 31 Art Explora, Piramida e Tiranës, Galeria e Artit Bashkëkohor GOCAT, Pazari i Ri, Sheshi Skënderbej, madje edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

 

 

 

B.G/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?