Çelet ekspozita me 34 piktura në Berat! ‘Mangalemi’ i Pashk Përvathit vjen në të gjitha dimensionet e dritëhijet e tij

12 Tetor, 16:41| Përditesimi: 12 Tetor, 16:58

  • Share

Pashk Përvathi, një ndër piktorët më të mirë natyralist në vend çeli në Berat ekspozitën me 34 piktura të realizuara ndër vite me fokus lagjen muzeale “Mangalem”.

“Me Beratin kam një lidhje të hershme, daton nga viti 1988 dhe që nga ai moment magjepsës s’kam reshtur së ardhuri në Berat për ta pikturuar Magalemin në kohë të ndryshme”, u shpreh ai.

Pikturat e artistit të njohur janë reflektim i çdo detaji të lagjes muzeale.

“Sa herë vij këtu Mangalemin e pikturoj në momente të ndryshme të ditës, të stinës. Në këtë periudhë nuk e kisha pikturuar më parë. Peizazhet me arkitekturë  të hanë kohë shumë, duhet një vizatim i saktë pastaj duhet të kapësh përthyerjet e dritës, të kapësh momentin. Unë atë desha të kap në telajon time, mëngjesin”, shton me tëj Përvathi.

Autori sjell me teknikën e vajit me tematika interesante, duke synuar individualitetin dhe duke na orientuar drejt një pikture autentike.

"Berati përherë ka qenë i lakmuar nga artistët, jo vetëm për pasurinë aq të madhe dhe të rëndësishme të trashëgimisë kulturore por edhe për vlerat e tij të padiskutueshme vizive. Të shumtë janë artistët vendas e të huaj që na kanë lënë dëshmi shumë të vyera të qytetit,që prej shekullit të 19-ë", tha Agron Polovina, drejtor i Galerisë së Arteve "Eduart Lear".

“Të kesh një lagje siç është lagjja muzeale Mangalem, të pikturuar nga dora e një piktori siç është Pashk Përvathi është një kënaqësi shumë e veçantë", u shpreh Ervin Demo, Kryebashkiak i Beratit.  

Ekspozita e Mjeshtrit të Madh, Pashk Përvathi do të qendrojë e hapur deri më 19 tetor në Galerinë e Arteve "Eduart Lear" të qytetit të Berati.

R.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?