Kultura

Çelet ekspozita ‘Pas dritës së kuqe’: Klima po na kërcënon! Gonzato: Mjedisi kërkon mbrojtje, kapitull vendimtar për BE

22 Shtator, 20:56| Përditesimi: 22 Shtator, 22:38

  • Share

“Pas dritës së kuqe” titullohet ekspozita që çeli dyert mbrëmjen e kësaj të hëne në Qendrën Kulturore “Tulla” në Tiranë.

Përmes fotografive, nxirren në pah histori të vërteta nga e gjithë Shqipëria, ku faktohen pasojat e mëdha negative të ndryshimeve klimatike.

I pranishëm në hapjen e ekspozitës ambasadori i BE, Silvio Gonzato, e vuri theksin fillimisht tek ndërgjegjësimi i gjithsecilit për ta mbrojtur natyrën.

“Këtë verë e kemi dëshmuar të gjithë sesi ndryshimet klimatike e kanë përkeqësuar ndjeshëm mjedisin, dhe kanë çuar në rritje të temperaturave. Por kemi parë edhe mungesë të veprimeve nga politikë bërësit për këtë drejtim. Nuk bëhet fjalë vetëm për politikën, por edhe ne si qytetarë nuk e kemi kuptuar ndikim negativ të klimës”, tha Gonzato.

Gonzato tha se Bashkimi Evropian e ka mbështetur Shqipërinë në menaxhimin e ndryshimeve klimatike, por duhet të zbatohen edhe ligjet që janë në përputhje me direktivat e BE-së.

“Në 15 vitet e fundit e kemi ndihmuar Shqipërinë me 2 milionë euro për këtë çështje, janë përdorur për të mbështetur ndryshimet klimatike, biodevirsitetin, sistemet e ndotjes etj. Ne duam ta mbështesim Shqipërinë për të përmbushur detyrimet në kuadër të kapitullit 27 që është edhe më i rëndësishëm. Nuk është puna vetëm tek miratimi i ligjeve në përputhje me BE-në, por edhe tek zbatimi i ndryshimeve ligjore, kjo e bën edhe rrugën më të lehtë në integrim”, tha Gonzato.

Në ekspozitë, përmes fotografive, tregohet sesi dikur valët e liqenit të Prespës së Madhe përkëdhelnin bregun e Kallamasit, ndërsa sot ka baltë e varka të përmbysura.

E kundërta e thatësirës, reshjet intensive po lënë në moçale toka të tëra, në ekspozitë sillet si dëshmi Lumi Drin.

Në ekspozitën e realizuar nga qendra ‘Faktoje’ ballafaqohen dy realitete, e kaluara dhe e tashmja, ku herë tregohet për gjelbërimin, pastaj për zjarret apo erozionin.

V.GJ /I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?