Aplikimet për fondin për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë që janë hapur që prej datës 1 qershor kanë përfunduar këto ditë. Ministria e Kulturës rikthen vëmendjen tek autorët që shkruajnë letërsi për fëmijë, një zhaner ky për të cilin shkrimtarët, por edhe vet botuesit gjatë viteve të fundit kanë ngritur alarmin, se i mungon letërsisë sonë. Irena Prici, specialiste e librit në Ministrinë e Kulturës flet për dorëshkrimet e ndryshme të autorëve që shtëpitë botuese kanë dorëzuar në Ministrinë e Kulturës, por edhe iniciativat e reja, që ky institucion do të ndërmarrë në këtë drejtim
“Janë 27 aplikime, edhe është pritur shumë mirë nga botuesit edhe nga krijuesit për fëmijë. Kjo duket edhe nga prurjet që kanë ardhur. Shumë shpejt juria që është përcaktuar, por që do të zbulohet më vonë përbëhet nga emra shumë të mirë, edhe përreth dy javë janë marrë me draftet e veprave, me kode, edhe do të përcaktojnë fituesin”, shprehet Irena Prici,
Ndonëse, juria që do të vlerësojë këto dorëshkrime është menduar që mos të bëhet publike para se të shpallen 5 autorët fitues, ndër emrat që marrin pjesë në këtë garë janë autorë të njohur, si Gaqo Bushaka, Viktor Cenosinaj, por edhe autorë të rinj
“Realisht kemi pasur kërkesa nga të gjitha moshat, që nga mosha e re, që është 30 vjeç, deri në moshën mbi 70 vjeç, që janë autorë që ne i njohim nga fëmijëria jonë. Ministria e Kulturës, që në momentin që ka shpallur të dhënat është kërkuar që dosja të vinte nga botuesi. Si kriter bazë është ndërmarrë një krijim në proces, por është një vepër e pabotuar më herët”, vijon Prici.
Pas disa vitesh mungesë Ministria e Kulturës është duke punuar që të rikthejë edhe çmimin kombëtar për Letërsinë për Fëmijë
“Është drejtë, sepse ka qenë një çmim i munguar për letërsinë për fëmijë, por të shpresojmë që kjo të pasohet dhe nga edicione të tjera, sepse kemi parë që ka shumë prurje nga letërsia e huaj për fëmijë, prandaj duhet që t’i stimulojmë pak autorët që shkruajnë letërsi për fëmijë”.
Vlera me të cilën do të vlerësohen dorëshkrimet e 5 fituesve është 150 000 lekë.