Kultura

Festival dedikuar komunitetit LGBTQI+ në Tiranë, ‘kumbara’ Elsa Lila: Historia e 15-vjeçarit që i dha fund jetës nga bullizmi më ndryshoi përgjithmonë

29 Shtator, 16:22| Përditesimi: 29 Shtator, 18:13

  • Share

Nuk do të jenë vetëm filma, me në qendër të tyre komunitetin LGBTQI+, por një seri aktivitetesh përmes të cilëve promovohen empatia dhe ndryshimi shoqëror nëpërmjet aktivizmit. “Queer Film Marathon Tirana” (QFMT) çelet mbrëmjen e kësaj të hëne dhe ka për qëllim të sjellë një hapësirë për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të reflektuar. I themeluar nga Aktivisti Arbër Kodra dhe organizuar nga organizata “Open Mind Spectrum Albania” (OMSA), kjo maratonë kulturore dhe edukative ka misionin të promovojë diversitetin, barazinë dhe të drejtat e njeriut përmes fuqisë së artit dhe kinemasë.

“Është një festival i cili sjell ngjyrat, emocionet dhe historitë e personave LGBTIQ+ në Shqipëri dhe ky edicion vjen akoma me më shumë risi. Ne do dalim tashmë jashtë Tiranës, nëpër 11 qytete, ku ky festival do të vazhdojë akoma të sfidojë normat shoqërore.”, - thotë Arbër Kodra.

I pari dhe i vetmi festival në Shqipëri, që i kushtohet kinemasë dhe zërave LGBTIQ+ nga e gjithë bota, këtë vit, kumbarë e tij, është artistja shqiptare me famë, Elsa Lila, e cila mbrëmjen e sotme do të çelë siparin e aktiviteteve me një koncert, në qendër të të cilit është dashuria.

“Do të jenë dy javë shumë të larmishme për Tiranën, me ngjarje kulturore shumë interesante, për sa i përket tematikës LGBT. Do të kemi në festival filma ndërkombëtarë që tashmë kan bërë xhiron e globit.”, shprehet Elsa Lila.

Ndërsa flet për aktivitetet dhe filmat pjesëmarrës, Lila sjell një histori që atë vetë e ka prekur personalisht dhe që e bën të ndihet edhe më afër kauzës së personave LGBTIQ+.

Ajo rrëfen se personazhi i filmit “Il ragazzo dai pantaloni rosa” (Djali me pantallona rozë) i regjisores italiane Margherita Ferri, ka në qendër një histori të vërtetë të djaloshit Andrea Spezzacatena, i cili për shkak të bullizimit, zgjodhi vetvrasjen në moshën 15 vjeçare dhe kjo ngjarje është zhvilluar përballës shkollës së vajzës së saj, Evitës.

“Ne jemi një grup mamash të Romës që i rrisim fëmijët bashkë, bëjmë aktivitete kulturore bashkë dhe ky djali ishte 15 vjeç, ishte në vitin e dytë gjimnaz dhe shkolla e tij ndodhej përballë shkollës së vajzës sime. Ne këtë djalë e njihnim. Është shumë ndryshe kur e përjeton nga afër dramën e e bullizimit të një adoleshenti, i cili nuk bën gjë tjetër veçse e shpreh seksualitetin e tij, duke veshur një palë pantallona rozë. Kur kjo ndodhi, le të themi, që në komunitetin tonë, jo vetëm të prindërve, diçka ndryshoi përgjithmonë.  Më jep forcë fakti që këto histori tregohen nëpërmjet artit kinematografik dhe lëvizin ndjenja, lëvizin koshienca të të gjitha palëve, që e kanë parë këtë film dhe jo vetëm. Por në një vend konservativ si Italia, që ende influenca e kishës katolike dhe Vatikanit, sidomos në Romë ku unë banjo, është dominante, ndodhi çudia e madhe, që ky u bë filmi i vitit dhe kjo u bë tematika e e vitit dhe ngjalli interes dhe solidaritet në në të gjitha shtresat e publikut pa përjashtim.”, - rrëfen artistja. 

“Në fakt kur erdha sot isha pak në alert nëse ë thirrja jonë ndaj mediave do kishte një përgjigje. Kjo jo pa qëllim, por duke u bazuar në të gjithë atmosferën që ne kemi përjetuar në shoqërinë shqiptare ditëve të fundit edhe për shkak të projektligjit të ri, por sigurisht edhe për shkak të ndryshimeve politike të cilat po ndodhin në botë të së djathtës ekstreme, e cila mua personalisht më ka bërë të kuptoj që liritë tona, liritë e individit nuk janë asnjëherë të garantuara dhe për to duhet luftuar gjithmonë.”, - thotë Zhaklin Lekatari në rolin e ambasadores së festivalit.

 Në koncertin e sotëm, Elsa Lila, e cila do të shoqërohet edhe nga muzikanit Ekland Hasa do të interpretojë katër pjesë, të cilat kanë si tematikë të tyre dashurinë.

"Queer Film Marathon" do të vijojë deri në 15 tetor me një program të pasur filmash ndërkombëtarë e vendas, diskutimesh, performancash, ekspozitash dhe ngjarjesh komunitare, Sipas Kodrës, QFMT është shndërruar në një platformë të guximshme dhe të dukshme për vizibilitetin queer në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Më shumë se një festival, është një lëvizje që sfidon paragjykimet, ndez dialogun dhe feston jetën, dashurinë dhe lirinë në gjithë ngjyrat e saj.

B.G/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?