Prej datës 15 qershor e deri më 30 nëntor, arti i Helidon Xhixhës ndriçon Rezidencën Italiane dhe qendrën e Tiranës.
Ambasada e Italisë në Tiranë kremton, me veprën e artistit Helidon Xhixha, tridhjetë vite miqësi dhe solidaritet midis Italisë e Shqipërisë, në përkujtim të mbërritjes në Itali të dhjetëra mijëra shqiptarëve, me anije e varka rasti, në brigjet e Puglia-s në vitin 1991.
Eksperienca e jetës së Helidonit, i cili tridhjetë vite më parë mbërriti në Puglia me një nga ato anije për të gjetur të ardhmen në “Vendin përballë”, dhe arti i tij, i aftë të përhapë një energji force, drite e rinovim konstant, janë simboli i një bashkimi kulturor me vlerë të pabesueshme dhe janë dëshmia e gjallë e një prej historive të suksesit që kanë sjellë tridhjetë vite integrim shqiptar në Itali.
Në dhjetëvjeçarët e fundit, Helidon Xhixha (i lindur në Durrës në vitin 1970) u imponua si një personalitet me rëndësi në skenën artistike bashkëkohore, duke u vlerësuar shumë nga kritika në nivel ndërkombëtar. Vizioni dhe teknika inovative e Xhixhës përkthehen në një art publik monumental që ripërcakton marrëdhënien midis skulpturës dhe mjedisit që e rrethon. Pasi trashëgoi nga i ati pasionin për artet, Helidoni u arsimua në Itali, pranë Akademisë së Arteve të Bukura të Brera-s, ku mundi të zhvillojë teknikën e tij.
Skulpturat e tij tredimensionale prej çeliku inoks nxjerrin në dritë marrëdhënien e brendshme që ekziston midis veprës së artit dhe mjedisit që e rrethon. “Unë nuk i gdhend materialet, i përdor ato për të gdhendur dritën”, ka deklaruar ai vetë.
Në kuadër të nismave të ndryshme kulturore që gjatë verës do të kremtojnë tridhjetë vjetorin e solidaritetit midis Italisë e Shqipërisë në të dyja brigjet e Adriatikut, Ambasada e Italisë në Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, përuroi një prej shesheve kryesorë të qendrës së Tiranës, shesh i rinovuar së fundmi, i cili rimori emrin “Sheshi Italia”, me veprën monumentale “Big Bang”, me rastin e Festës së Republikës. Skulptura monumentale e artistit (480X480X480 cm), një sferë prej çeliku me elementë të ndritshëm e të shkëlqyer, komunikon në një kontekst sugjestionues që ndërthur elementë arkitektonikë racionalistë të viteve ‘ç të shekullit të kaluar, karakteristikë e gjenialitetit të arkitektit italian Gherardo Bosio, me artin bashkëkohor arkitektonik të Marco Casamonti-t, i cili ka projektuar Stadiumin e ri Kombëtar.
“Skulptura është një himn për rilindjen që reflekton mbi nisjen e kohës e hapësirës. Rikrijon një shpërthim të aftë për të lëshuar një energji të pafundme e të pastër, të nevojshme për të rivënë në lëvizje universin tonë, jetët tona. Çdo çast është një fillim i ri”, në këtë përfundim ka arritur skulptori pasi e ka realizuar veprën.
Vepra është prezantuar nga Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, si “simboli i rilindjes që kemi zgjedhur me rastin e Festës së Italisë në Shqipëri, një ftesë për t’iu rikthyer hapësirave publike e hapësirave tona, historisë dhe kulturës sonë të përbashkët, pas vështirësive dhe vetmisë që na u desh të përjetojmë gjatë pandemisë”, me rastin e një ceremonie në të cilën morën pjesë, përveç artistit dhe kuratorit Anselmo Villata, edhe Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Më datë 15 qershor Rezidenca e Italisë në Tiranë rihap dyert e saj për qytetarët, duke mikëpritur ekspozitën e parë antologjike të artistit Xhixha në Shqipëri. Bashkimi i dritës është një rrugëtim i cili përvijohet nga vepra e parë e artistit e deri tek vepra e fundit, rrugëtim i nisur me këtë ekspozitë për herë të parë. Një rrugëtim në jetën, në artin, në materialet dhe në format e artistit, i konceptuar për të përjetuar me historinë e tij, në formë simbolike, atë të atyre mijëra shqiptarëve të cilët, në tridhjetë vitet e fundit, kanë gjetur një shtëpi e re në Itali dhe që sot, gjithmonë e më shpesh, kthehen në Vendin e tyre duke kontribuar në një emigracion qarkullues suksesi dhe në përforcimin e një marrëdhënieje miqësie unike midis Italisë e Shqipërisë.
Në bashkëpunim me Harabel, shoqata kryesore për promovimin e artit bashkëkohor në Shqipëri, Ambasada do të organizojë vizita të udhëhequra dhe ëorkshop-e për shkollat në mëngjes si edhe vizita të lira e udhëhequra gjatë pasdites.