Ministrja Balluku deklaroi se me mbështetje të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) ka financuar një studim mbi përshtatshmërinë e zonave të mundshme për zhvillimin e projekteve energjetike të erës në vend, ku nxirren në pah të gjitha zonat me mundësi shfrytëzimi të energjisë eolike.
Ky studim përcakton në shkallë vendi 20% të tokës si të përshtatshme për shfrytëzim, një sipërfaqe që përkthehet në 325,000 hektarë, ndërsa përmban një hartë e cila përcakton shkallën e përshtatshmërisë nga ’E lartë’ në ’E ulët’, për të gjitha vendet ku zhvillimi i këtyre projekteve është i mundur. Studimi gjithashtu identifikon Zonat e Ndaluara të cilat nuk mund të shfrytëzohen, pavarësisht potencialit të tyre, siç janë zonat e mbrojtura.
Balluku deklaroi se në këtë ankand, kapaciteti total i vendosur në dispozicion të zhvilluesve është 100MW, ndërsa projektet që do të përzgjidhen do të variojnë nga 10 deri në 75 MW. Procesi do të kalojë nëpër dy faza vlerësimi, ku në fazën e parë do të vlerësohen ekspertizat teknike dhe burimet financiare, ndërsa në fazën e dyte do të vlerësohen ofertat financiare. Ministrja sqaroi se ankandi i sotëm, ndryshe nga ankandet e tjera, konsiderohet ankand hibrid, pasi shteti shqiptar nuk ka përfshirje tjetër përpos ofrimit të studimit të shfrytëzimit, pra nuk ofron tokë në dispozicion.
‘Ankandi t’i japë mundësinë ofertuesve të propozojnë projekte të cilat kanë kapacitet minimal 10 megavat dhe kapacitet maksimal 75 megavat. Në total çmimi i parafiksuar, përsa i përket këtij ankandi, do të drejtohet për 100 megavat në total të cilat do të blihen nga Republika e Shqipërisë për konsum dhe normalisht ky çmim do të jetë 75 euro tavani për megavat dhe ashtu siç kemi bërë edhe në ankandet e mëparshme ne i japim mundësi të gjitha kompanive konkurruese që të ofertojnë çmimin më të ulët. Por, sigurisht përveç çmimit më të ulët ne do të kemi dy faza përsa i përket vlerësimit të këtij ankandi.
Ne kemi zhvilluar një studim të mirëfilltë, i cili sot do të vendoset në dispozicion të të gjitha kompanive të cilat do të duan të investojnë në sektorin e energjisë eolike dhe do të marrin pjesë në këtë ankand. Ky studim jep në mënyrë të qartë të gjitha zonat e mbrojtura në të cilat nuk mund të ndërtohen parqet eolike. Jep zonat të cilat kanë fizibilitetin më të lartë për prodhimin eolik në vend, dhe dua të theksoj që këto zona janë mbi 20% e territorit shqiptar, duke i dhënë kështu mundësi përzgjedhje në të gjitha rajonet e vendit tonë, qofshin këto në veri, apo në jug dhe sigurisht ato nisin nga një lartësi mbi 150 metra mbi nivelin e detit”, u shpreh Balluku.
Lajmi kryesor:
Çelet për herë të parë ankandi për shfrytëzimin e erës si burim energjie, Rama: Synim, Shqipëria eksportuese e energjisë së gjelbër të rinovueshme
M.Q./ReportTv.al