Sociale

Çelet sezoni turistik veror në Pustec, aktiviteti mbledh vendas e të huaj

31 Maj, 16:19| Përditesimi: 31 Maj, 17:46

  • Share

Në një atmosferë festive, në qendër të Pustecit, është çelur zyrtarisht sezoni turistik veror 2025. Aktiviteti mblodhi turistë vendas e të huaj, përfaqësues të institucioneve vendore dhe aktorë të sektorit të turizmit, në një ngjarje që shënoi nisjen e sezonit me optimizëm dhe pritshmëri të larta.

Që prej fillimit të vitit, mbi 80 mijë vizitorë kanë zgjedhur Pustecin si destinacionin e tyre, ndërsa pritet që gjatë muajve të verës ky numër të rritet ndjeshëm. Një prej risive këtë sezon është hapja e plazhit të ri në zonën e Rrallnikut, një investim i realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që synon të sjellë një tjetër dimension zhvillimi në këtë zonë me potencial të lartë turistik dhe mjedisor.

Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, vlerësoi ndikimin e këtyre investimeve në nxitjen e turizmit të qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetin lokal. Ndërkohë, përfaqësuesi i “Kayak Albania”, Elton Dhefto, bëri të ditur se për të dytin vit radhazi do të organizohet Festivali i Kayakut, një ngjarje që ka fituar vëmendjen e turistëve të huaj dhe ndihmon në promovimin e liqenit dhe bukurive natyrore të Prespës.

Aktiviteti festiv u shoqërua me muzikë live, valle tradicionale dhe degustime të kuzhinës vendase, ku vizitorët patën mundësinë të njihen nga afër me mikpritjen dhe kulturën karakteristike të zonës. Interesimi i turistëve për Pustecin vijon të rritet, veçanërisht për natyrën, ushqimin dhe atmosferën e qetë që ofron ky destinacion ende i paeksploruar gjerësisht.

Bashkia e Pustecit ka planifikuar edhe investime të mëtejshme për të zhvilluar turizmin gjatë gjithë vitit, përmes ofertave të kombinuara me plazhe në verë dhe aktivitete në natyrë gjatë stinëve të tjera, duke shfrytëzuar pasurinë natyrore, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore të zonës së Prespës.


Lajmi kryesor:

Qytetet bregdetare dhe liqenore ‘hapin dyert’ për turistët! Sezoni starton me koncerte, panaire dhe sporte ujore


Xh.D/E.H/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?