Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi theksoi se deri tani ka marrë 156 ankesa në KQZ për procesin e shpërndarjes së zarfave të votave për diasporën shqiptare. Ankesat ishin kryesisht nga subjektet politike zgjedhore të 11 majit, por kishte edhe nga vetë emigrantët.
Ai nënvizoi se disa prej shqetësimeve ishin edhe spekulative, jo të sakta, teksa sqaroi se ishin adresuar për zgjidhje të gjitha.
Celibashi pohoi problematikën e procesit në Greqi, ku mijëra zarfe nuk janë dërguar ende apo shpërndarë tek votuesit.
Ai tha se janë 11 mijë zarfe ku kompania nuk gjen dot adresën pasi është dhënë gabim dhe 10 mijë të tjera ku është njoftuar zgjedhësi dhe nuk e ka tërhequr.
Por si veprohet për ta zgjidhur problematikën? Kryesorja mbetet interesimi i vetë votuesit te kompania postare DHL dhe tërheqja e zarfit me kartë identiteti.
“Zarfi i votës nga emigrantët te kompania postare tërhiqet vetëm me kartë identiteti. Por ka edhe raste spekulimesh, ku ka ankesa se ka shkuar për të marrë zarfin dhe nuk ia kishin dhënë, teksa kur ka figuruar i paregjistruar, nxjerrin justifikime të tjera. Ne duhet të presim deri ditën e fundit, nuk mund të spekulojmë e të flasim para kohe. Nuk mund të flasim pa pasur prova konkrete dhe të bazuara”, tha Celibashi.
Më tej ai shpjegoi edhe denoncimet apo kallëzimet e depozituara deri tani te Task-Forca e ngritur mes SPAK, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
“Deri tani ka 130 kallëzime apo denoncime në konsiderim, të depozituara kryesisht nga parti politike, qytetarë, Policia dhe përfaqësues të tjerë, nën dyshimet për krim elektoral të mundshëm dhe që po hetohen apo verifikohen. Ka 130 procedime të regjistruara në SPAK, nga të cilat 8 janë regjistruar nga vetë SPAK”, tha Celibashi mes të tjerash.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet/ Celibashi: Greqia problemi kryesor! 21 mijë zarfe s'janë shpërndarë ende në diasporë, 11 mijë votues s'janë gjetur! Integriteti i procesit nuk vihet në diskutim
A.Q/r.k./ReportTv.al