Celibashi propozon depolitizimin e komisionerëve zgjedhorë, ish-kreu i KQZ: Duhet ndryshimi, politika të mos ndërhyjë më në administrimin e zgjedhjeve

24 Korrik 2023, 20:08| Përditesimi: 24 Korrik 2023, 21:19

  • Share

Kryekomiosneri Ilirjan Celibashi propozoi depolitizimin e komisionerëve zgjedhorë. Ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume në një intervistë për Report Tv komentoi këtë propozim të Celibashit duke thënë se duhet të ndryshojë mënyra e organizimit dhe funksionimit të komisioneve zgjedhore. Në një intervistë për emisionin ‘Studio Live’ të gazetarit Arbër Hitaj, Kume thotë se nëse bëhen këto ndryshime partitë politike s’do kenë mundësi të ndërhyjnë në administrimin e zgjedhjeve, ndonëse thekson se subjektet politike nuk kanë vullnet për ta bërë një ndryshim të tillë.

“Do të thotë krijimi i kushteve për administrimin më të mirë për administrimin e proceseve zgjedhore në vendin tonë për sa kohë që partitë politikë, nëse bëhen ndryshimet, s’do kenë mundësinë të ndërhyjnë në administrimin e zgjedhjeve. Përvojat kanë treguar se ndërhyrjet e partive politike nëpërmjet të zgjedhurve në administratën zgjedhore ka qenë gjithmonë faktor që ka gjeneruar problematika në procesin e administrimit të zgjedhjeve, që nga administrimi i zgjedhjeve ditën e votimit deri në shpalljen e rezultatit”, u shpreh Kume.

Kume thotë se një ndryshim të tillë e kanë kërkuar disa herë edhe faktorët jo politik në vendin tonë, si edhe vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE-ODHIR.

“Nëse do mund të realizohet apo jo, zor se mund ta pohoja me bindje sepse ata që e kanë në dorë për ta bërë, partitë politike, dy kryesoret që kanë votat për ndryshimet e nevojshme, kanë treguar në mënyrë të vazhdueshme se i qëndrojnë kësaj zgjidhje që kemi sot, ndërtimin e administratës zgjedhore sipas parimit të përfaqësimit dhe balancimit politik. Megjithëse ndaj tyre është ushtruar presion i vazhdueshëm jo vetëm nga pjesa jo politike, por edhe nga ata që ne kemi pranuar që të vlerësojnë proceset zgjedhore, OSBE-ODHIR”, tha Kume.

Ish-kreu i KQZ tregon edhe si mund të bëhet depolitizimi i komisionerëve zgjedhorë, duke thënë se duhet të nisë nga KAS dhe komisioni Rregullator, të cilët duhet të ndërtohen nga profesionistë që garojnë vetë për pozicionin dhe jo nga njerëz të emëruar nga partitë politike.

“Nëse do duam të ndërtojmë administratë jo politike, kjo punë duhet të nisë që nga Rregullatori dhe KAS, dy komisionet e KQZ. Ata të ndërtohen mbi bazën dhe garën që konkurrojnë nga njerëz që duan të marrin këto detyra dhe jo nga njerëz që zgjidhen nga partitë. Komisionet e qendrave të votimit në Komisionet Zonale duhet të ndërtohen sipas parimit që zgjidhet nënpunësi publik tek ne. E rëndësishme është që të ndërtohet rregulli i cili të mund të përjashtojë mundësitë që edhe ata që do marrin një detyrë të kemi një përfaqësim jo të shfaqur, por kripto të fshehtë të partive politike. Bëhet nëse vë si kriter profesionalizmin, asnjë lloj lidhje me administratën e sotme, disa profesione që janë më afër, si avokat, jurist, ekonomistë”, u shpreh Kume.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • populli: 25/07/2023 08:33

    Nuk depolitizohet gje ne kete vend, per aq kohe sa universitetet private jane ne lidhje te ngushte me qeverite dhe te gjithe ata qe blejne shkollen futen direkt ne administrate, perfshi tani edhe magjistraturen. Çdo gje shkon zinxhir, i cili nuk keputet me...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?