Sociale

Celularët në shkollë vetëm me “lejen” e prindit! Udhëzimi: Gjatë mësimit “kyçen” në kuti

3 Shtator, 17:57| Përditesimi: 3 Shtator, 19:12

  • Share

Në prag të nisjes së vitit shkollor, Ministria e Arsimit nxori një udhëzim me masa konkrete për përdorimin e celularëve në shkolla. Synimi është që celulari të mos merret fare në shkollë, por në rastet e argumentuara nga prindërit, nxënësit duhet ta mbyllin të fikur në një kuti në klasë, deri në përfundim të procesit mësimor.  

“Telefonat nuk duhet të merren në shkollë. Në rast të nevojës të argumentuar nga prindi, në drejtorinë e shkollës, që fëmijën ta pajisë me telefon, atëherë telefoni fiket, nxënësi e dorëzon sipas rregullit të shkollës në sirtarin apo kutinë e përcaktuar në klasë, nga momenti i nisjes së mësimit deri në përfundim të orarit mësimor.”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ky ilustrim që ministrja, e paraqiti si risi në prag nisje të këtij viti shkollor, në fakt, ka disa vite që praktikohet në shkollat 9-vjeçare në vend.

Nxënësit dalin nga shtëpitë me telefon celular, dhe gjatë zhvillimit të orës mësimore e dorëzojnë në klasë në kuti të ngjashme si ajo që ministrja shfaqi.

"Jo të mos marrin fare, sepse unë si prind kam nevojë që me fëmijën tim të komunikoj", thotë një prind për mikrofonin e Report Tv. 

Kjo praktikë, është vënë në jetë në kundërshtim me udhëzimin në fuqi deri dje, të Ministrisë së Arsimit, firmosur që në 2018-ën, nga ministrja e kohës, Lindita Nikolla. Sipas udhëzimit të 7 viteve më parë, “ndalohej disponimi i një telefoni në ambientet e shkollës”, pra celulari nuk duhej të merret fare me vete në shkollë. Në dispozicion, në shkollë, lihej vetëm një numër emergjence, ku mund të komunikohej si nga prindërit si nga mësuesit për situata të paparashikueshme.

Kush kapej në shkelje, telefoni sekuestrohej dhe i dorëzohej policisë, paralelisht me masa disiplinore ndaj nxënësve.

"Është më mirë që mos përdoret", thotë një prind tjetër. 

Me udhëzimin e fundit të këtij 1 shtatori, edhe pse prej vitesh nuk ishte zbatuar, Ministria e Arsimit vendosi me firmë të zv.ministres Orjana Osmani, t’i zhbëjë masat e 2018-ës për ndalimin e celularëve në shkollë.

Me rregulla dukshëm më të zbutura, këtë 8 shtator, kur nisi viti i ri shkollor, nxënësit, mund ta marrin me vete celularin në shkollë, nëse prindi e argumenton të domosdoshme, por gjatë orës mësimore duhet ta fikë ose ta vendosë në “airplane mode” për ta futur më tej në kutinë e posaçme në klasë.

"Shpërqëndrohen nga mësimi dhe nuk është gjë e mirë. Sa më pak telefoni në dorë, aq më mirë".

"Vendimi në lidhje me mospërdorimin e mjeteve celulare është një nga vendimet më të mira. Unë mendoj për mospërdorimin. Ndërsa në lidhje me mosmbajtjen, si prind, e gjykoj që të ketë njëfarë klauzole, që do të thotë, unë kam nevojë si prind të komunikoj me fëmijën tim pas daljes nga shkolla".

Në rast se nxënësi e fsheh telefonin duke mos e dorëzuar dhe kapet duke e përdorur atë në klasë apo ambiente të tjera të shkollës, aparati sekuestrohet dhe dorëzohet në drejtori.

Për shkeljen e parë, parashikohet një masë më e butë, në fillim këshillim i nxënësit, në rast përsëritjesh shënim nga kujdestari dhe më tek njoftohet edhe prindi, e në këtë rast, vetëm ai mund ta tërheqë telefonin nga drejtoria.

Udhëzimi i ri i Ministrisë së Arsimit ndalon përdorimin e telefonit në klasë edhe nga vetë mësuesit, përveç rasteve emergjente ose për nevoja të provuara pedagogjike.

Por përse institucionet arsimore, me gjithë dështimin e zbatimit në praktikë, këmbëngulin në masa të tilla ndaj nxënësve?

Siç citohet në udhëzim, përdorimi i celularëve në klasë ul përqëndrimin, dobëson kujtesën dhe aftësitë analitike të nxënësve, nxit sjellje të papërshtatshme dhe rrit rrezikun e bullizmit dhe dhunës, sidomos kur mungon kontrolli prindëror.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

G.M./V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?