Godina e KLGJ-së

Kronikë

‘Cenoi figurën e magjistratit dhe reputacionin e gjykatës’, ILD kërkon masë disiplinore ndaj gjyqtares së Kukësit! Shkeljet me kolegët gjatë seancës (EMRI)

18 Mars, 12:12| Përditesimi: 18 Mars, 12:18

  • Share

Tiranë- Në Këshillin e Lartë Gjyqësor po zhvillohet seanca dëgjimore për procedimin disiplinor ndaj magjistrates Ajshe Xhafa.

Inspektorja e ILD bëri parashtrimet për gjetjet gjatë kontrollit të kryer ndaj magjistrates, duke kërkuar masën disiplinore “vërejtje publike”.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë sqaroi se e ka filluar hetimin disiplinor me iniciativë ndaj gjyqtares pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për shkeljen disiplinore të parashikuar, si; “shkelja e përsëritur ose e rëndë e rregullave të solemnitetit, rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me magjistratët e tjerë”.

“Ky hetim ka filluar mbi bazën e shqyrtimit të informacionit të pasqyruar në procesverbalin e një mbledhje të përgjithshme të gjyqtarëve të shtatorit 2024, gjatë së cilës janë zhvilluar debate mbi disa procese pune në gjykatë”, bëri me dije ILD ditën e sotme (18 mars).

ILD sqaron se Xhafa ka kryer shkelje të rënda disiplinore gjatë një seance dhe rregullat e sjelljes si pjesë e trupit gjykues ndaj dy magjistratëve të tjerë, në seancë publike. Ajo ka cenuar besimin e palëve dhe “diskredituar figurën, integritetin e magjistratit dhe reputacionin e gjykatës”

“Inspektori i Lartë i Drejtësisë konkludon se sjellja dhe veprimet e magjistrates A. Xh., në rastin konkret vlerësohen si “shkelje e lehtë disiplinore”. Vetë masa disiplinore përmban parandalimin e posaçëm, në kuptimin që magjistrati në të ardhmen të mos kryejë më shkelje disiplinore; dhe parandalimin e përgjithshëm, në kuptimin që magjistratët e tjerë, të kuptojnë që një sjellje e tillë e papërshtatshme nuk duhet kryer, pasi është e ndëshkueshme me masë disiplinore. ILD kërkon masën disiplinore “vërejtje publike” për gjyqtaren A.Xh., të parashikuar nga neni 105 pika 1 shkronja “b” dhe neni 107 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të  ndryshuar”, thuhet në raportin e ILD-së mes të tjerash.

Në fund ILD rendit edhe dy rrethana lehtësuese, pasi gjyqtarja ka pranuar gabimin në sjellje duke shprehur pendesë, teksa nuk ka pasur shkelje të tjera më parë apo procedime.

Gjetjet për magjistratej Ajshe Xhafj sipas ILD-së: 
-Magjistratja A. Xh. në cilësinë e anëtarit të trupit gjykues ka shkelur rregullat e sjelljes me magjistratët e tjerë, pjesë e trupit gjykues, gjatë zhvillimit të një seance publike. 
-Sjellja e magjistrates ka qënë e vazhdueshme gjatë gjithë seancës, duke cënuar besimin e palëve të pranishme në seancë tek drejtësia, diskretituar pozitën dhe figurën e magjistratit dhe cënuar integritetin dhe reputacionin e gjykatës. 
-Shkelja disiplinore nga ana e magjistrates është kryer me dashje direkte, vërtetuar kjo edhe nga deklarimet e dhëna nga vetë magjistratja gjatë hetimit disiplinor.
-Nisur nga mosnormalizimi i marrëdhënies së magjistrates subjekt hetimi disiplinor me dy magjistratet e tjera, mbetet rreziku i sjelljeve të papërshtatshme në vijim.
Rrethanat lehtësuese sipas ILD-së:
-Magjistratja e ka pranuar që sjellja e saj në praninë e palëve, në atë seancë publike nuk ka qënë në përputhje me etikën dhe se ajo nuk duhet të kishte atë sjellje në prezencë të palëve.
-Magjistratja nuk ka masë të mëparshme disiplinore dhe ka eksperiencë të pakët profesionale, pasi shkelja është kryer në  vitin e parë të punës si gjyqtare.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?