Qytetari denoncoi me një video policin e Pikës Kufitare të Qaafë Thanës, Drejtoria e Policisë Korçë e pezullon nga detyra.
Lajmi u konfirmua ditën e sotme nga vetë Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, me anë të një reagimi zyrtar.
“Në lidhje me një video të postuar në rrjete sociale, që pasqyron denoncimin e një qytetari për veprimet e një punonjësi policie në detyrë, në PKK Qafë Thanë, bëjmë me dije se Drejtori i DVKM Korçë, sapo u njoh me rastin, ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë që shfaqet në video, inspektor R. S.”, thuhet në njoftim.
Por jo vetëm kaq, sepse ndaj policit ka nisur gjithashtu edhe hetim disiplinor, “në zbatim të nenit 121 të ligjit nr. 82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, pika 1, germa “m”, “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi”.
Në pamje shihet që efektivi lejon drejtuesin e një mjeti që të kryejë shkelje, duke kaluar në krahun tjetër pranë pikës kufitare, për të qenë më afër radhës për veprime në sportel.
Materialet i kaluan Drejtorisë së Standardeve Profesionale, e cila do të kryejë hetim më të thelluar për rastin.
“Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast shkeljeje apo paligjshmërie që konstatojnë, dhe i garanton ata se do të ketë një reagim të menjëhershëm, konform ligjit”, mbyllet njoftimi.
Komente
