Censi 2023/ 60 mijë familje në Tiranë pa shtëpi por 85 mijë banesa janë bosh

1 Nëntor, 15:15| Përditesimi: 1 Nëntor, 15:27

  • Share

Tirane- Një në katër familje të qarkut të Tiranës nuk ka një banesë në pronësi, ose është me qira ose ka një tjetër marrëveshje banimi në kushte kur mijëra apartamente janë bosh.

Rezultatet e detajuara të Censit të publikuara nga INSTAT, tregojnë se në 5 bashkitë e Qarkut (Kavajë, Rrogozhinë, Kamëz, Vorë dhe Tiranë) jetojnë në total 247.466 familje me 758.513 banorë, por vetëm 186.870 familje ose janë pronarë ose në proces të marrjes së aktit ligjor.

Janë 60,596 familje janë pa banesë në pronësi në një kohë që vetëm në këtë qark janë 85.457 banesa bosh. Praktikisht 26.6% e totalit prej 321,821 banesave që janë në këto 5 bashki, janë të pabanuara. Përkundër bumit të ndërtimeve në shumëkatëshe, janë 56 mijë apartamente në pallate bosh në këtë qark, nga të cilët 40 mijë apartamente bosh janë vetëm në bashkinë Tiranë.

Stoku i apartamenteve bosh që vetëm sa shtohen, ka si shkak edhe çmimet thuajse të papërballueshme për qytetarët edhe nëse i drejtohen bankës për kredi. Në fakt një treg të rregullt, çmimet e pronave duhet të uleshin, në kushtet kur ka më shumë shtëpi bosh sesa familje pa banesë. Në total në Shqipëri sipas CENS-it janë 1 milionë e 82 mijë banesa, nga të cilat 356 mijë janë bosh.

Shkaqet për këtë situatë paradoksale për ekspertët nisin që nga emigrimi, që ka sjellë mbyllje të qindra banesave, blerja e pronave nga të huajit që i përdorin vetëm për pushime, si dhe informaliteti ku ndërtimet shtohen si rezultat i pastrimit të parave.

Sa i takon sipërfaqes së banimit, vihet re që familjet në këto 5 bashki jetojnë në sipërfaqe të vogla. Janë mbi 103 mijë familje që kanë shtëpi me sipërfaqe 40-69 metër katror, ndjekur nga 70 mijë të tjera me sipërfaqe banimi 70-99 metër katror.

Ndërsa ‘mosha’ e ndërtesave që aktualisht banohet dominohet nga ato të ndërtuara prej vitit 1981 deri në vitin 2010. Nga 236 mijë banesa të banuara janë mbi 155 mijë ndërtime të kësaj periudhe kohore.

NUMRI I FAMILJEVE/ QARKU TIRANË
Në total                               247.466 familje
Shtëpi në pronësi                186.870 familje
Qiramarrës                           39 572 familje
Marrëveshje tjetër banimi    21 024 familje
NUMRI I BANESAVE/ QARKU TIRANË
Në total                           321.821 banesa
Të banuara                     236.364 banesa
Të pabanuar                   85.457 banesa
NUMRI I BANESAVE NË SHQIPËRI
Cens 2011                    1,012,400 banesa
Cens 2023                    1,082,529 banesa
Rritja                             +70,129 banesa

 

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?