Plakja e popullsisë është kambanë alarmi për skemën e pensioneve, deficiti i të cilës mund të thellohet më tej, për shkak të shtimit të të moshuarve dhe uljes së kontributeve.
“Kemi një plakje të popullsisë me pothuaj me 7 vite dhe nuk është pak për një popullsi e cila konsiderohet si fuqi në rritje në aspektin e tregut të punës. Duhen politika ekonomike e cila duhet të investohet jo vetëm në mbajtjen gjallë të infrastrukturës së qyteteve por më së shumti në investimin tek familjet e reja për ato çfarë kanë kërkesa të rinjtë, dhe të ketë një dinamikë të re tregu i punës”, thotë për Report Tv eksperti Eduart Gjokutaj.
Situata thotë Gjokutaj është edhe më serioze nëse marrim në konsideratë faktin që një e treta e pagave nën deklarohen, duke sjellë automatikisht me pak sigurime shëndetësore dhe shoqërore.
“Mbi 1/3 e fuqisë punëtore është ose me paga të nën deklaruara ose nuk deklarohet fare sepse kemi të bëjmë me lëvizje të fuqisë punëtore”, tha Gjokutaj.
Në këto kushte është domosdoshmëri fuqizimi i skemave private të pensioneve, por problem është mungesa e besimit tek kompanitë private që do administrojnë fondet e shqiptarëve.
“Njerëzit në përgjithësi janë djegur nga skemat private të fondeve dhe nuk kanë besueshmërinë e madhe që të investojnë përsëri. Qeveria duhet të japë garanci për kompanitë, të mos flasim për rastin e mikrokredive”, tha eksperti.
Vetëm si rezultat i uljes së numrit të kontribuuesve që mbajnë skemën aktuale të pensioneve, shteti paguan miliona euro çdo vit për të financuar deficitin e saj. Që prej vitit 2015 kur hyri në fuqi kjo skemë e deri në fund të vitit 2023, buxhet i shtetit ka harxhuar 2.1 miliardë euro për të financuar sistemin e pensioneve.
Cens-i tregoi se 1 në 5 shqiptare është mbi 65 vjeç. Ndërkohë sipas përllogaritjeve në 2012 vendit i janë shtuar 220 mijë persona mbi 60 vjeç, nga 448 mijë që kishte në censin e kaluar në 667 mijë në censin e 2023-shit.