Në liqenin e Prespës në Pogradec ka nisur numërimi i pelikanit kaçurrel dhe atij rozë, dy prej specieve më të rralla dhe të veçanta në vendin tonë. Censusi po kryhet nga punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, ekspertë dhe vullnetarë, në kuadër të planit për monitorim të vazhdueshëm.
Përveç monitorimit dhe shpërndarjes gjeografike të këtyre specieve synohet edhe rritja e mundësive për më shumë mbrojtje për këto shpendë.
“Jemi bashkë me administratorin e zonave të mbrojtura ku të gjithë do të numërojmë pelikanët në liqenin e Prespës, në të dyja liqenet e Prespës.
Ky është një event i organizuar në të gjithë Shqipërinë por edhe në 3 vende që kufizohen me liqenin e Prespës. Këtë vit ne jemi duke numëruar zogjtë, jemi duke numëruar zogjtë e ujit dhe tani pelikanët. Mendoj se numri i pelikanëve do të jetë i ngjashëm, por varet nga kushtet e motit një vit mund të kesh më shumë një vit më pak. Organizimi jonë është duke suportuar parkun nacional dhe agjencinë e zonave të mbrojtura në Shqipëri. Monitorimi i zogjve është një hap i rëndësishëm të dimë sa zogj kemi dhe gjithashtu shikon nëse ke sukses në mbrojtjen e mjedisit ku jetojnë”, tha specialistja Constanze Schaff.
Prania e pelikanit kaçurrel dhe atij rozë në ujërat e Prespës ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj. Në Parkun Kombëtar të Prespës 87% janë pelikanë kaçurrel dhe 13% janë pelikan rozë. Për këtë vit numërimi i pelikanit është bërë dy herë dhe është venë re se numri i tyre ka qëndruar në të njëjtat shifra.