Kronikë

Drafti i Kodit të ri Penal/ Olsian Çela vijon kritikat: Shton ngarkesat në sistem, ka mungesa! Betohen 26 prokurorë të rinj

30 Korrik, 11:54| Përditesimi: 30 Korrik, 15:07

  • Share

Kritikat e forta ndaj draftit të Kodit të ri Penal, të cilin një ditë më parë ekskluzivisht për Report Tv e cilësoi si të nxituar dhe që rrezikon të minojë funksionimin e drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i përsëriti edhe në betimin e 26 prokurorëve të rinj, që do t’i shtohen sistemit të drejtësisë.

Madje tha kryeprokurori një Kod i ri Penal do t’ia vështirësojë punën edhe magjistratë të rinj të akuzës, në një kohë kur sistemi ka mungesa të theksuara.

"Aplikimi i një Kodi të ri penal do të thotë një rivlerësim të secilës çështje, në hetim apo gjykim, në prizmin e Kodit të ri, i cili mund të ketë fuqi prapavepruese, për sa kohë dispozitat janë favorizuese për individin. Drafti është shumë kompleks dhe vetëm njohja e Kodit nga ana magjistratëve do të kërkojë mjaft kohë", tha Çela. 

Sfidat që vijnë për shkak të mungesave në sistemin e drejtësisë dhe situatës së veçantë ku ai ndodhet Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ia tha në sy prokurorëve të rinj.

“Në zyrat ku ju do të shkoni përgjithësisht do të gjeni aty kolegë që do të kenë moshën dhe eksperiencën tuaj. Gjë që do ta bëjë më të vështirë nisjen e punës suaj dhe rritjen tuaj profesionale. Ky është një moment i rrallë i historisë, rrallë ndodh kjo. Unë do të kërkoja nga ju që ta shikoni veten si pjesë të një skuadre të madhe", tha Çela. 

26 prokurorë të rinj, të sapodalë nga shkolla e Magjistraturës, bënë betimin dhe janë gati t’i shtohen sistemit të drejtësinë në vend. Rrugëtimi i tyre, nisi përmes një ceremonie të veçantë të organizuar para Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ishte vetë kryetarja e KLP, Mirela Bogdani, ajo e cila i paralajmëroi magjistratët e rinj për atë se çfarë i pret.

“Ju jeni një nga brezat që përballeni me një fillim kaq të vrullshëm, për shkak të vakancave që janë krijuar nga procesi i vettingut. Ky është një rrugëtim që nuk premton qetësi përkundrazi do të jetë i mbushur me sfida dhe presion të vazhdueshëm por edhe me sfida të mëdha për të treguar profesionalizmin dhe integritetin tuaj”, tha Bogdani. 

Kujtojmë se një në fillim të këtij muaji Komisioni Evropian miratoi raportin për sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri, ku mes të tjerash ngrinte shqetësimin për gjendjen e sistemit të drejtësisë në vend, me vakanca të shumta të krijuara për shkak të vettingut. Deri para këtij betimi të sotëm nga 341 prokurorë të parashikuar në organin e akuzës në të gjithë vendin efektivë janë vetëm 221.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Abc: 30/07/2025 14:04

    "Prof." Argita i ka zgjedhur, besoj?

    Përgjigju
    • Beni: 30/07/2025 19:41

      Fiks e ke , 50 me 50 ps & pd

  • EriEri: 30/07/2025 13:05

    Kini kujdes se do ju bejne si veten keta

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?