Në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e diplomimit të 90 studentëve të Akademisë së Forcave të Armatosura, 5 prej të cilëve nga Republika e Kosovës.
Në ceremoninë e diplomimit ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, si dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.
Vengu vlerësoi punën e mbi 1,000 efektivët që u përballën me flakët e zjarreve gjatë ditëve të fundit duke theksuar se misioni i tyre në këto rrethana të jashtëzakonshme është një shembull heroizmi të heshtur.
‘Është një nderë që të jemë sot këtu pranë jush jo për të qenë thjeshtë në një ceremoni zyrtare por është një moment i thellë krenarie institucionale. FA nuk janë një dekor i republikës janë kocka muskuj dhe ndërgjegje e asaj këtë e pamë pak ditë më parë ku mbi 1 mije efektivë i FA u përballën me flakët që dogjën male dhe fusha, ata bënë misionin e tyre por në rrethana të jashtë zakonshme quhet heroizëm i heshtur. Ky është misioni i ushtarakut kërkon nderë, përkushtim vetpërmbajtje dhe guxim’, tha ai.
Ministri Vengu e cilësoi diplomimin e kadetëve të rinj, një moment krenarie për të diplomuarit dhe familjet e tyre, që nisin një kapitull të ri në shërbim të atdheut.
“Diploma që ju do të mbani në duart tuaja nuk është një pikë mbërritjeje, por një pikënisje. Është një rrugë që shpesh është e vetmuar, por gjithmonë e drejtë. Nuk ofron lehtësi, por ofron kuptim. Aty ku disiplina bëhet virtyt dhe sakrifica merr domethënie. Në një botë që relativizon çdo gjë, profesioni juaj mbetet i pakontestueshëm në vlerat e tij. Ju nuk përfaqësoni thjesht shtetin, por i jepni atij formë, drejtim dhe qëndrueshmëri”, u shpreh ministri Vengu.
Komandanti i Shkollës së Bashkuar, Bardhyl Nuredinaj tha se betimi ushtarak para flamurit kombëtar nuk është thjeshtë një tekst por një angazhim moral, ligjor e atdhetar, një zotim për të qenë gjithmonë në shërbim të kombit, ruajtur e mbrojtur integritetin e sovranitetin e vendit, rendin kushtetues dhe për të kontribuar në paqen e sigurinë kolektive.
Komente
