Dea Rrozhani

Politikë
Drejt Punës

Vajza shqiptare që Yuri Kim i besoi fjalën përshëndetëse në Ditën e Pavarësisë, Dea Rrozhani: Nuk i mbyll sytë para problemeve, përballem me to. Nuk ankohem, veproj

2 Korrik 2021, 20:38| Përditesimi: 2 Korrik 2021, 21:34

  • Share

Në pritjen që organizoi Ambasada Amerikane për 245-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Amerikës dhe 30- vjetorit të rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, Dea Rrozhani ishte e vetmja shqiptare që foli para të pranishmëve. Dea Rrozhani ishte përzgjedhur nga ambasadorja amerikane Yuri Kim për të mbajtur fjalën përshëndetëse. Rrozhani është programuese, dizajner dhe bashkëthemeluese e aplikacionit “GjejZa” të vlerësuar me Çmimin e Madh Technovation Global 2019.

Rrozhani iu bashkua Këndit Amerikan ku mësoi për inovacion dhe kodimin dhe më vonë drejtoi programin RoboTech. Ajo shprehet se përgjatë këtyre viteve mësoi të përballje me problemet dhe të mos ankohej dhe kjo e ndihmoi të rritej. Pikërisht këtë rritje, tha Dea, i ofron Ambasada Amerikane rinisë inovatore dhe të palodhur shqiptare, përmes Këndeve Amerikane.

Fjala e plote e Dea Rrozhanit 

E nderuar  zonja  Ambasadore,

Të nderuar të pranishëm                               

Sot ne festojmë 245-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve SHBA  - Shqipëri.

Ndërsa unë dhe bashkëmoshatarët e mi nuk kemi qenë dëshmitarë të rrethanave ose përpjekjeve të vazhdueshme dhe të jashtëzakonshme të rivendosjes së marrëdhënieve, ne jemi dëshmia më e fuqishme e rezultateve të kësaj sinergjie.

10 vjet më parë hyra në Këndin Amerikan, hapësirën kushtuar të të rinjve të Ambasadës Amerikane këtu në Tiranë, për të mësuar më shumë rreth kulturës amerikane dhe për t’u takuar me fëmijë të tjerë të moshës sime. Unë vijova të isha një pjesëmarrëse e rregullt dhe pasi kalova moshën për të qenë pjesë e klubit të fëmijëve, iu bashkova programit të quajtur Technovation Challenge, ku vajzat e moshës 10-18 vjeç bëheshin bashkë për të identifikuar dhe për të zgjidhur një problem lokal ose global përmes krijimit të aplikacioneve në celular. Kjo ishte koha kur zbulova pasionin e jetës sime për kodimin dhe robotikën. Në 4 vite unë nxorra mësime të vlefshme për punën në ekip, ideimin, kërkimin dhe komunikimin në komunitet. Së bashku me ekipet e tjera krijuam shumë aplikacione të ndryshme, që të gjitha adresojnë çështje me rëndësi. Kjo punë e vështirë dha rezultatin në Silicon Valley, ku GjejZa, aplikacioni që ndihmon vajzat dhe gratë të luftojnë dhunën me bazë gjinore, u vlerësua me Çmimin e Madh të Technovation. Shqipëria u vendos në hartë nga tre vajza 16-vjeçare që konkurruan me  të reja nga vendet e njohura për teknologjinë e tyre.

Në një moment, vendosa që doja të jepja gjithë njohurinë që kisha fituar gjatë viteve të punës së palodhur dhe ndihmës së mentorëve të mi amerikanë, si një trashëgimi dhe një mënyrë për të fuqizuar të rinjtë, veçanërisht vajzat. Këndi Amerikan më dha mundësinë të themeloj dhe të drejtoj klubin tim të robotikës dhe kodimit, RoboTech, i cili kishte mbi 50 anëtarë në tre vjet. Unë u bëra një ambasadore e studentëve dhe trajnuese  për Technovation dhe gjithashtu dhashë mësime kodimi në Këndin Amerikan në Vlorë.

Tani që udhëtimit tim në Këndin Amerikan po i vjen fundi, nuk e shoh veten thjesht  si një nga fitueset e një konkursi botëror dhe as si një programuese, por si një qytetare e angazhuar që përdor inovacionin për të sjellë ndryshim. Unë mësova të mos i mbyll sytë përpara problemeve, por të zgjedh rrugën e mundimshme të përballjes me to. Mësova të mos ankohem, por të veproj.

Medalja nuk ishte gjëja më e madhe që fitova. Ishte rritja. Dhe është pikërisht kjo rritje që Ambasada Amerikane i ofron rinisë inovatore dhe të palodhur shqiptare, përmes Këndeve Amerikane.

Në një shikim të parë këto përvoja dhe detaje të vogla mund të mos duken të rëndësishme, por përsa i përket marrëdhënieve SHBA-Shqipëri do t'i konsideroja po aq me ndikim sa politika. Përmes këtyre përpjekjeve, të rinjtë shqiptarë kanë mundësi të panumërta për t'u bërë anëtarë proaktivë të komunitetit dhe për t'u zhvilluar në të njëjtin ritëm me bashkëmoshatarët e tyre amerikanë, me gjithë pengesat e shumta që tranzicioni i ka sjellë vendit tonë.

Nuk ka të ardhme pa rininë. Çdo investim te të rinjtë e sotëm është një investim në shoqërinë e së nesërmes. Marrëdhënia SHBA - Shqipëri duhet të ruhet, të forcohet dhe të zhvillohet. Ajo duhet të vazhdojë të ndërtohet nga brezi në brez si një dëshmi e bukur e një miqësie të çmuar midis dy vendeve tona dhe e progresit njerëzor.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?