Detaje të reja kanë ardhur nga zhvillimet e ceremonisë mortore të Papa Françeskut në Vatikan. Restauruesi shqiptar Ndue Lugjja, që ka punuar prej vitesh pranë Selisë së Shenjtë, ka thënë për Report Tv se ka nisur rruga jo e zakonshme e përcjelljes së Papa Françeskut nga sheshi ‘Shën Pjetër’ për në Bazilikën e ‘Shën Marisë së Madhe’.
Lugjja tregon se makina është nisur, sipas traditës, për të ecur me hapin e njeriut deri në banesën e fundit.
"Të gjitha rrugët që të sjellin në Vatikan janë të kontrolluara nga policia, si nga ajri, si nga toka, dhe pritet që të përfundojë mesha. Edhe pastaj, sipas traditës, me hapin e njeriut do të shkojë drejt Kishës ‘Shën Marisë së Madhe’."-ka thënë Lugjja.
Ai thotë se gjysma e Romës është e bllokuar nga njerëzit dhe nuk ka lëvizje makinash. Nga ana tjetër, ai bën me dije se në përcjelljen e Papës ka dhe shumë shqiptarë të pranishëm, të cilët duken me flamur dhe me veshje shqiptare.
"Gjysma e Romës është e bllokuar dhe nuk ka asnjë lëvizje makinash, ka vetëm lëvizje policie. Sot ka plot shqiptarë të pranishëm, me flamur shqiptar dhe me veshjet shqiptare. Unë zgjodha të rri në këtë rrugë, që të pres lëvizjen nga Shën Pjetri te Bazilika e Shën Marisë së Madhe, që zgjat deri në 6 kilometra."-tha më tej Lugjja.
Nga ana tjetër, Lugjja tregon se të pranishëm janë edhe shumë emigrantë dhe shtresa të margjinalizuara.
"Janë shumë emigrantë dhe shtresa të margjinalizuara, janë me shumicë, kanë ardhur nga të gjitha anët e Italisë dhe jashtë Italisë. Kanë ardhur të gjithë për t’i dhënë lamtumirën Papa Françeskut. Ai ishte Papë i thjeshtë dhe paqësor, dhe që e ka afruar shumë me fenë katolike. Ai ka bërë gjithçka edhe për të varfërit dhe për qendra të ndryshme ku mund të strehohen."- përfundoi Lugjja.
Komente
