Hotel Tirana ka nënshkruar një marrëveshje me Intercontinental Hotel & Resorts, një nga markat globale “5 Star Luxury”. I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, ishte edhe kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku Erion Veliaj si dhe ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro.
Kreu i qeverisë nënvizoi faktin se paralelisht me rritjen e numrit të turistëve, shtohen edhe brandet ndërkombëtare si garancia më e mirë për të arritur standardet më të larta të mikpritjes.
‘Jemi dëshmitarë të kurorëzimit të një përpjekje të gjatë për të sjellë në zemër të Tiranës një tjetër kolos të industrisë globale turistike, grupin Intercontinental. Për ato që e njohin Ram Gecin prej vitesh është emocion pasi Rama është një burrë që flet me punë dhe jo me fjalë. Jam shumë i privilegjuar që mund ta konsideroj Ram Gecin një partner të shkëlqyer të të gjitha qeverive që kanë dashur me punu. Rama hyri në këtë rrugë me flamurin e PD-së, por pastaj ngriti flamurin e punës dhe ju bashkua të gjitha qeverive të punës. Falenderoj miqtë e grupit Intercontinental të cilët do të jenë përsëri në Shqipëri për të firmosur një tjetër marrëveshja që është InterContinentali i Durrësit. Kjo flet për një Shqipëri tjetër krejtësisht që është në hartën e turizmit. Kjo kompani ka 130 mln klientë të cilët ndjekin kompaninë vend pas vendi. Nuk është fjala thjeshtë të marrësh një kompani për ta menxhuar me profesionalizëm të lartë pro merr një komunitet, një bashkësi qindra miliona klientësh.'- tha Rama.
Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj tha se ndihet krenar për një investim të standardeve të tilla në Tiranën që po rritet dita-ditës.
“Nuk mund të kishte një dhuratë më të bukur për një kryetar bashkie. Dua ta quaj këtë një paqe të madhe mes televizioneve, analistëve, që janë sot në krah të atyre që kanë marrë risqe të jashtëzakonshme, që i kanë lekë gjaku, i kanë lekë djerse dhe në këtë vit që Tirana është “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, nuk mund të kishte një mesazh më të mirë sesa Tirana me 5 yje, Tirana me qindra shtretër akomodim. Në një qytet ku vlera e pronës, nga ardhja e kësaj qeverie në 10 vitet e fundit, është rritur mesatarisht 12%-15% investimi në pronë. Është jo vetëm një risk i madh, po sigurisht edhe është shpërblyer falë një infrastrukture dhe falë atyre sipërmarrësve që kanë marrë riskun e jetës së tyre dhe ia kanë dalë me supersukses. Për ata që punojnë në një industri duhet t’ju kujtoj që vetëm për këtë brend punojnë 700 veta. Ta gëzojmë brendin e ri në Tiranë, mezi pres të shikoj 5 yjet në kullat e tjera të Tiranës dhe dua të falënderoj një tjetër Ramë. Edi Ramën, që pati vizionin e kësaj Tirane. Kjo Tiranë që shohim sot është themeluar në fakt 20 vite përpara”, u shpreh Veliaj