Në qendër të mediave botërore ditën e sotme është zhvillimi i ceremonisë mortore të Papa Françeskut në Vatikan. Mbi ngjarjen që po zhvillohet në sheshin ‘Shën Pjetër’ ka folur edhe Dom Mark Pashkja, zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore, për Report Tv.
Pashkja është ndalur fillimisht në dallimet që e identifikonin figurën e Papës së ndjerë. Ai theksoi se gjithë ajo përfshirje e madhe e njerëzve që shihet ditën e sotme në Vatikan është edhe fryti i asaj çka Papa ka përfaqësuar gjatë këtyre 12 viteve.
Zëdhënësi i Kishës Katolike Shqiptare ka veçuar se Papa Françesku nuk ka bërë dallime dhe ka pasur në fokus shtresat më ekstreme dhe të varfra të shoqërisë.
"Ajo çka po ndodh tani nuk është vetëm fryti, por edhe pasqyrim i asaj çka ishte pontifikati, i asaj çka ishte Papa Françesku në këto 12 vite. Papa Françesku nuk e kufizoi veprimtarinë e tij vetëm si kreu i Kishës Katolike, por fryti i punës së tij dhe impenjimi i tij ishte i skajshëm deri tek ato që, siç i quante ai, periferitë më ekstreme të botës, duke përfshirë të varfërit dhe të jashtëzakonshmit. Të gjithë ata njerëz, të gjitha ato reagime, të gjitha ato veprimtari dhe reagimi ndaj vdekjes së tij janë shenjë e ndjeshmërisë së jashtëzakonshme dhe përfshirjes së atyre njerëzve, pa marrë parasysh shtresën e tyre. Tek Papa Françesku gjetën vetveten jo pak njerëz."-tha Pashkja.
Pashkja ka thënë se Papa Françesku ka qenë një zë imponues në nivelin botëror për shumë çështje të ndryshme shqetësuese. Edhe autoriteti i tij ka pasur një efekt imponues dhe universal, ku nuk ka hezituar as të kritikojë politikanë të ndryshëm për çështje që nuk i ka menduar njësoj si ata.
"Në këto vite të pontifikatit të tij, Papa Françesku ka qenë një zë imponues dhe një zë i fuqishëm ndaj shumë kauzave, pavarësisht fryteve apo rezultateve që u dëgjuan, për shkak të efektit universal që pati figura e tij si Papë, por edhe si figurë influencuese. Influencueshmëria e tij në masa ishte jo e vogël. Ai nuk hezitoi t’i kritikonte as politikanët dhe nuk heshti përballë shumë problemeve, por nuk hezitoi as kur e lypte puna dhe nevoja të përpiqej të ndërtonte një rrugë të përbashkët dialogu dhe të orientonte fatet e popujve."-tha Pashkja.
Pashkja foli se Papa vizitoi 68 vende të botës, ku një pjesë e madhe e vendeve nuk ishin katolike. Pashkja në fund u ndal edhe tek vizita e Papës në Shqipëri, e cila, sipas tij, ishte një promovuese për vëllazërinë fetare për gjithë botën.
"Në 12 vite ai vizitoi 68 vende të botës dhe një pjesë e madhe e tyre nuk ishin vende katolike, çka mund të interpretohen si vizita baritore. Ai u përpoq që të promovonte diversitetin. Papa i ndjerë e ka promovuar Shqipërinë më 21 shtator të vitit 2014 si simbol të vëllazërisë fetare. Ajo e solli Shqipërinë në një arenë të jashtëzakonshme publicitare."-përfundoi Pashkja.
Komente
