Politikë

Ceremonia për 100-vjetorin e krijimit të KLSH, Spiropali: Kuvendi do të vazhdojë mbështetjen, e nevojshme forcimi i mbikëqyrjes parlamentare për të rritur transparencën

20 Maj, 12:15| Përditesimi: 20 Maj, 12:38

  • Share

Në ambientet e Kuvendit, u zhvillua një veprimtari me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Kuvendit vlerësoi rolin e KLSH-së si një instrument kyç për forcimin e demokracisë, qeverisjes së mirë dhe luftës kundër korrupsionit.

Spiropali theksoi se në sistemin demokratik, KLSH ka evoluar në një organ të pavaruar, me një mision për garantimin e kontrollit ekonomik dhe mbrojtjes së fondeve publike. Spiropali nënvizoi gjithashtu përkushtimin e Kuvendit për të mbështetur pavarësinë dhe misionin kushtetues të KLSH-së.

“Kuvendi do të vazhdojë të mbështesë Kontrollin e Lartë të Shtetit si një institucion kushtetues, një partner në përpjekjet tona për zhvillimin dhe rritjen ekonomike, për të rritur performancën financiare, për  mbështetjen e sundimit të ligjit, mirëqeverisjes dhe për të përshpejtuar ritmet e integrimit europian të Shqipërisë.”

Duke iu referuar procesit të integrimit europian të Shqipërisë, Spiropali theksoi se të gjitha institucionet e republikës duhet të forcojnë standardet dhe praktikat e tyre për të qenë në përputhje me vendet anëtare të BE-së. Në këtë kuadër, ajo vlerësoi përpjekjet e KLSH-së për të rritur profesionalizmin dhe besueshmërinë e auditimeve, si dhe për të kontribuar në transparencën dhe mirëadministrimin e financave publike.

“Lufta jonë e përbashkët e pakompromis, e vendosur dhe me temp në rritje kundër korrupsionit, shpërdorimit të posteve dhe abuzimeve me financat publike, nuk duhet të na stepë të dallojmë shpërdoruesit, abuzuesit dhe krimet në menaxhimin e financave, programeve e projekteve publike, nga shërbyesit korrektë, të ndershëm dhe dinjitozë të shtetit, të cilët kanë kontribuar e kontribuojnë për zhvillimin e vendit. Shqipëria është sot para dyerve të Bashkimit  Eyropian edhe në saj të kontributit të tyre.”, tha mes të tjerash Spiropali.

Fjala e Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, në veprimtarinë me rastin e 100-vjetorit të Kontrollit të Lartë të Shtetit

Sot Kontrolli i Lartë i Shtetit mbush një shekull jetë.

As jam historiane, as kam për qëllim të bëj histori. Por dëshiroj të them dy fjalë për rrugëtimin njëqindvjeçar të këtij institucioni të rëndësishëm të shtetit shqiptar.

Menjëherë pas themelimit, shteti i pavarur shqiptar bëri përpjekje të krijonte institucionin që do të merrej me kontrollin e financave të tij. Kuptohet, me atë vizion, perceptim e funksion që mundësonte koha.

Por qeveritë e para nuk ia dolën ta ndërtonin këtë institucion me formatin dhe përmbajtjen e vet si një instucion kushtetues. Kjo ishte e kuptueshme, nëse mbajmë parasysh kontekstin historik dhe furtunat e kohës që rrezikonin mbijetesën e Shqipërisë dhe shtetit të saj të ri.

Vetëm në Republikën e vitit 1925, pra 13 vjet pas themelimit të shtetit shqiptar, Këshilli Kontrollues i Financave u krijua dhe funksionoi si institucion kushtetues.

Nuk është një vonesë e madhe në kohë, nëse konsiderojmë historinë e shtetformimit në vende të tjera dhe kushtet historike e gjeopolitike gjatë dekadës së parë të jetës së Shqipërisë së pavarur.

Pra, ndërsa shteti bëri si bëri pa institucionin e kontrollit për më shumë se një dekadë, Republika si formë qeverisjeje e kërkoi dhe e realizoi atë si një institucion kushtetues menjëherë pas krijimit të saj.

Edhe Kushtetuta e Mbretërisë shqiptare e sanksionoi Këshillin Kontrollues si organ të pavarur.

Gjatë regjimit komunist, organet e kontrollit të shtetit funksionuan si instrumente të forta audituese, kontrolluese e politike të pushtetit popullor dhe në shërbim të tij.

Në sistemin demokratik, me ulje-ngritje jo të vogla e të pakta, Kontrolli i Lartë i Shtetit u bë organi më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar dhe pavarësia e depolitizimi i këtij institucioni është sanksionuar në Kushtetutë dhe ligjin organik.

II.
Kuvendi do të vazhdojë të mbështesë Kontrollin e Lartë të Shtetit si një institucion kushtetues, një partner në përpjekjet tona për zhvillimin dhe rritjen ekonomike, për të rritur performancën financiare, për  mbështetjen e sundimit të ligjit, mirëqeverisjes dhe për të përshpejtuar ritmet e integrimit europian të Shqipërisë.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, për të cilin kemi tashmë një plan të dakortësuar me institucionet europiane, është jo vetëm kurorëzimi i një procesi të nisur 35 vjet më parë, por edhe starti i një rrugëtimi të ri, kur të gjitha institucionet e Republikës do të jenë institucione të një vendi anëtar të Bashkimit Europian.

Gjej rastin të nënvizoj se Kuvendi do të vijojë të mbështesë të gjitha institucionet kushtetuese dhe të krijuara me ligj dhe pavarësinë e tyre, për të përmbushur misionin si roje te interesit publik e qytetar.

Pavarësia e institucioneve është një përmasë jetike e mirefunksionimit të pushteteve në sistemin demokratik, po aq sa edhe përgjegjësia, trasparenca dhe llogaridhënia e tyre. Prandaj deviza e bashkëpunimit tonë përmblidhet në tre fjalë: pavarësi, mbështetje, partneritet.

Ne vlerësojmë përpjekjet tuaja për forcimin e pavarësisë dhe profesionalizmit institucional, si një institucion kushtetues, që udhëhiqet nga parimet e shtetit të së drejtës, vlerësime këto edhe të raporteve më të fundit të monitorimit të Shqipërisë nga OECD dhe BE.

Megjithatë, Kuvendi, por mendoj edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, ndajmë të njëjtin vlerësim se është i nevojshëm forcimi i mbikëqyrjes parlamentare, për ta bërë veprimtarinë tuaj më efektive, për të rritur transparencën dhe ndikimin e auditimeve në përmirësimin e menaxhimit të financave publike.

Bashkëpunimi ynë më i ngushtë e më i hapur si edhe komunikimi më intensiv do të fuqizojnë dimensionin parandalues të veprimtarisë së Kontrollit dhe harmonizimin më të mirë me masat ndëshkimore.

Sinergjia midis parandalimit dhe ndëshkimit nuk është vetëm një kërkesë e Kuvendit, as vetëm e kohës sonë. Ka qenë e tillë edhe në hapat e parë të funksionimit të këtj institucioni, kur burimet e shtetit shqiptar për ta mbajtur atë ishin të kufizuara, përvoja mungonte dhe kapacitet institucionale e burimet njerëzore po ashtu ishin modeste. Është e tillë edhe në institucionet homologe të vendeve të Bashkimit Europian dhe të shteteve të tjera demokratike.

Kuvendi është i angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe për këtë ka kërkuar dhe do të vijojë të kërkojë kontributin tuaj.

Por lufta korrupsionit nuk synon goditjen e punonjësve publikë si një qëllim në vetvete, por edhe mbështetjen e tyre për të menaxhuar më mirë burimet e shtetit, si dhe mbylljen e shtigjeve ligjore dhe institucionale për abuzim.

Lufta jonë e përbashkët e pakompromis, e vendosur dhe me temp në rritje kundër korrupsionit, shpërdorimit të posteve dhe abuzimeve me financat publike, nuk duhet të na stepë të dallojmë shpërdoruesit, abuzuesit dhe krimet në menaxhimin e financave, programeve e projekteve publike, nga shërbyesit korrektë, të ndershëm dhe dinjitozë të shtetit, të cilët kanë kontribuar e kontribuojnë për zhvillimin e vendit. Shqipëria është sot para dyerve të Bashkimit  Eyropian edhe në saj të kontributit të tyre.

Në vijim edhe të zbatimit të rekomandimeve të Raporteve të Progresit të Komisionit Europian, ne po punojmë për forcimin e mekanizmit të zbatimit të rekomandimeve, përmes dialogut dhe bashkëpunimit më të strukturuar të Kuvendit me Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Ky bashkëpunim ka marrë një dimension të ri pas ngritjes së Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, një strukturë që synon të sigurojë një ndërlidhje më të ngushtë dhe më efektive ndërmjet funksionit kontrollues të Kuvendit dhe veprimtarisë audituese të KLSH-së.

Ky Nënkomision përfaqëson një mekanizëm të rëndësishëm për mbikëqyrjen parlamentare të menaxhimit të financave publike dhe që në themelimin e tij ka dëshmuar potencialin për të sjellë një frymë të re përgjegjshmërie, transparence dhe dialogu institucional.

Konstatoj se edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka treguar angazhim për thellimin e këtij bashkëpunimi, duke marrë hapa konkretë, përfshirë krijimin e një drejtorie të posaçme të dedikuar për komunikimin me Kuvendin dhe me Nënkomisionin, në mënyrë që shkëmbimi i informacionit, trajtimi i raporteve dhe ndjekja e rekomandimeve të bëhen në mënyrë më efikase dhe të strukturuar.

Ky është një zhvillim që duhet përshëndetur dhe inkurajuar, pasi po rrit cilësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, forcon kontrollin demokratik mbi administratën publike dhe përmirëson kulturën e llogaridhënies në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Kuvendi mbetet i përkushtuar për ta çuar përpara këtë partneritet të rëndësishëm, në funksion të interesit publik dhe të ndërtimit të institucioneve më të forta, më transparente dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve.

Në këtë frymë bashkëpunimi të konsoliduar, Kuvendi i Shqipërisë është plotësisht i angazhuar për të fuqizuar më tej mjetet dhe mekanizmat inovative që i shërbejnë rritjes së transparencës dhe ndjekjes efektive të rekomandimeve të auditimit.

Një nga iniciativat më të rëndësishme në këtë drejtim është rikonfigurimi i Platformës Ndërinstitucionale Online, një instrument modern dhe gjithëpërfshirës, që synon të mundësojë një ndërlidhje më efikase ndërmjet institucioneve që prodhojnë, trajtojnë dhe zbatojnë rekomandime audituese dhe Kuvendit si organ mbikëqyrës.

Duke i dhënë kësaj platforme një dimension të ri funksional dhe strategjik, synojmë jo vetëm të përmirësojmë monitorimin e rekomandimeve të KLSH-së dhe audituesve të tjerë publikë, por edhe të nxisim aktivisht institucionet e administratës shtetërore të kontribuojnë në mënyrë të rregullt dhe të përgjegjshme në popullimin e saj.

Kuvendi do të vijojë të luajë një rol kyç në këtë proces, jo thjesht si mbikëqyrës, por si nxitës i një kulture të re bashkëpunimi e llogaridhënieje në të gjithë spektrin institucional.

Modernizimi i praktikave, zgjerimi i fushëveprimit, rritja e ndikimit të auditimeve në administratën publike, përmirësimi i transparencës dhe komunikimit me publikun, rritja e kapaciteteve institucionale dhe burimeve njerëzore, vlerësoj se janë disa nga prioritetet tuaja, të cilat mund të rrisin cilësinë e kontrollit dhe auditimit si edhe efektivitetin e punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike, për të cilat ndihma e Kuvendit as ka munguar dhe as do të mungojë.

Ora 12:22
Ceremonia për 100-vjetorin e krijimit të KLSH, Gonzato: Të kontrollohen shpenzimet e fondeve publike, përfshirë ato të BE

Në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato vlerësoi rolin kyç të këtij institucioni në forcimin e mirëqeverisjes dhe transparencës në vend.

“Legjislacioni i BE kërkon që institucionet si KLSH të jenë të pavarura dhe të pajisura me burimet dhe mandatin e duhur për të ushtruar kontroll mbi të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e fondeve publike, përfshirë ato të Bashkimit Evropian dhe të donatorëve të tjerë. Çfarëdo ndryshime që do të bëhen duhet të jenë në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit dhe standardeve të BE”, tha Gonzato.

Sipas tij, angazhimi i KLSH për transparencë, si dhe roli i saj në parandalimin e mashtrimit, identifikimin e parregullsive në prokurimin publik dhe përmirësimin e kontrollit të brendshëm, është thelbësor për ndërtimin e një kulture llogaridhënieje në administratën publike.

“Nuk bëhet fjalë thjesht për ndryshimin e ligjeve apo për dhënien e rekomandimeve. Sfida kryesore është ndryshimi i mendësisë,” u shpreh Ambasadori, duke theksuar se një KLSH e pavarur, e besueshme dhe efektive është një gur themeli për mirëqeverisjen dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?