Ismet Elezi dhe presidenti Bajram Begaj

Politikë

Ceremonia për 105-vjetorin e lindjes së Ismet Elezit, Begaj: Drejtësia e re ka nevojë për modele të integritetit e profesionalizmit

7 Prill, 16:11| Përditesimi: 7 Prill, 16:21

  • Share

Sot, me rastin e 105-vjetorit të lindjes së profesorit të së Drejtës Penale, Ismet Elezi, në një ceremoni të organizuar nga Fakulteti i Drejtësisë në Tiranë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, e vlerësoi atë si një figurë mbresëlënëse të shkencës juridike, duke përcjellë edhe disa mesazhe për drejtësinë.

Në nderim të profesor Elezit për kontributin e tij në ndërtimin e të Drejtës Penale në shtetin modern shqiptar dhe në edukimin e brezave të studentëve, Begaj nënvizoi se modele të tilla marrin një peshë edhe më të madhe në një kohë kur drejtësia e re shqiptare po kalon procesin më të rëndësishëm të transformimit në epokën e demokracisë.

“Profesor Ismeti është vetë historia e gjallë e shkollës juridike shqiptare. Drejtësia e re ka, gjithashtu, nevojë për gurët e vet kilometrikë, për modele dhe shembuj të integritetit e profesionalizmit”, tha ai. 

Duke iu referuar procesit të transformimit të këtij sistemi në Shqipëri, Presidenti i Republikës vlerësoi arritjet e deritanishme:

“Në 10 vitet e fundit vendi ka njohur reformën në drejtësi që,për nga përmasa, ndikimi, transformimi e, mbi të gjitha, nga pritshmëritë ndaj saj, është një nga sipërmarrjet më të fuqishme të kryera në këto 3 dekada”, tha ai.

Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e kulturës së një hetimi profesional, të paanshëm e të pavarur si një tjetër gur kilometrik.

“Çrrënjosja e pandëshkueshmërisë dhe instalimi i kulturës së shtetarit si administrator i përgjegjshëm i interesit publik është një gur kilometrik. Zhvillimin sasior të saj e dallojmë nga numri i rasteve që ndiqen penalisht. Zhvillimin cilësor e dallojmë kur me kurajë, vendosmëri dhe drejtësi zbatohet ligji ndaj të fuqishmëve apo atyre që janë të paprekshëm. Kultura e hetimit profesional, të paanshëm dhe të pavarur është, gjithashtu, një gur kilometrik”, tha ai.

Presidenti i Republikës vlerësoi rëndësinë e ruajtjes të pastër të sistemit të drejtësisë.

“Vetingu permanent, kontrolli i brendshëm dhe vetëpastrimi zënë vend të rëndësishëm në gurët kilometrikë të drejtësisë së re. Drejtësia e re nuk mund të jetë e re nëse shfaq simptomat e drejtësisë së vjetër, si korrupsionin, klientelizmin apo korporativizmin. Ajo duhet të shfaqë imunitet të padiskutueshëm dhe të jetë e padepërtueshme nga sëmundjet e vjetra. Drejtësia e re ka identitetin dhe moralin e njerëzve që e bëjnë dhe përbëjnë atë.

Drejtësia e re duhet pranuar si thirrje dhe kontributi për të duhet kuptuar si premtim solemn. Rruga është ende e gjatë, por suksesi është shfaqur në horizont. Mbështetja ime ndaj jush është e palëkundur. Mbështes pavarësinë, transparencën dhe zbatimin e standardeve. Me përkushtimin tuaj, jam i sigurt që suksesi do të jetë i arritshëm”, tha ai.

Këto mesazhe Presidenti i Republikës i përcolli në prani të personaliteteve të fushës së drejtësisë, përfaqësuesve të lartë të institucioneve shtetërore, akademikëve dhe studentëve të drejtësisë të cilëve u garantoi mbështetjen e tij të palëkundur në këtë rrugëtim.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?