TIRANË - Marin Suli foli në ‘Studio Live’ lidhur me ceremoninë mortore në nder të Kryepeshkopit Anastas, që u varros sot në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë me pjesëmarrjen e primatëve të Kishave Ortodokse nga e gjithë bota, si dhe shumë figurave dhe personaliteteve politikë dhe jo vetëm.
Sekretari i Omonias, thekson për Arbër Hitajn se Kryepeshkopi është shtyllë e Ortodoksisë në gjithë botën.
'Shtyllë mbajtëse e Ortodoksisë në gjithë botën. Mendoj, është fat i madh që jetuam në kohën e tij dhe morëm dashur mirësjellje dhe respekt për të varfrit dhe të ulëti. Jemi me fat që kemi jetuar në kohën e Anastas. Për veprën e tij flet ringritja e Kishës, flet dashuria e tij për ne ortodoksët shqiptarët dhe popullin shqiptarë dhe për urat e komunikimit mes dy popujve. Një pjesë e studimeve të Kryepeshkopit të bënte të mundur botën ortodokse të njihen me fetë e tjera. Dhe të ishte promotor i bashkëjetesës fetare në Shqipëri.'
Ajo që bën përshtypje për Sulin është pasuria që la pas Kryepeshkopi Anastas.
'Në fakt më bëri përshtypje, pasuria shpirtërore që Kryepeshkopi Anastas la. Në Katedrale do kishte rast të shikoje një numër priftërinjsh të studiuar, që këndonin, bënin meshën në shqip. Përveç mureve dhe bukurisë së Katedrales rezultat i punës personale, la pasurinë dhe breza të tërë, Kishë Ortodokse dhe Sinod të pasur me peshkopë. La një institucion të shëndoshë që mund të eci vetë dhe të përçojë dashuri, fjalën e Zotit si e vetmja mundësi për jetë të përjetshme.'
Brezi i klerikëve që la pas Kryepeshkopi, thotë Suli, duhet të vijojë punët e mira të ndërtimit të kishave dhe shkollave.
'Përgjithësisht, ka qenë kritika se është grek. Të gjithë kritikat ja ka kthyer përgjigjet, me gurët që më hidhni do ndërtoj kisha dhe shkolla. Brezi i klerikëve që la pas të vazhdojë të mbledhë këto gur që vazhdojnë të hidhen edhe pas vdekjes dhe të ndërtojnë kisha dhe institucione, si e vetmja mënyrë e ngjitjes në piedestal e kishës.'
Së fundmi, Suli komenton dhe praninë e Ramës krah Mitsotakis në ceremoninë e organizuar në Katedralen e Tiranës.
'Një nga arsyet pse Kryepeshkopi, fjala e tij rezononte është dhe kjo që bëri sot. mund ta bëjë fare lehtë shenjt. E vërtetoi sot, duke e bërë Shqipërinë dhe Tiranën kryeqendrën e ortodoksisë duke shuar çdo mosmarrëveshje për disa orë, për ti çuar atje ku duhet të jenë Greqia dhe Shqipëria, këtë na mësoi me besimin në Zot dhe pranimin e tjetrit ashtu siç është sot, mund të jetojmë në paqe. Për gjërat politike, besoj se qëndrimet parimore e shtetit grek për shkeljet nuk kanë ndryshuar.'