Mijëra njerëz u mblodhën sot në stadiumin State Farm në Arizona për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në nder të Charlie Kirk, organizatorit të të rinjve të krahut të djathtë, i cili u qëllua për vdekje gjatë një aktiviteti në një kolegj në Utah.
Një zëdhënës i departamentit të policisë së Glendale-it i tha CNN-së se në ceremoninë mortore për aktivistin konservator Kirk mund të marrin pjesë mbi 200,000 persona, dyfish i vlerësimit të mëparshëm prej 100,000 personash. Mbi 200,000 persona janë regjistruar për këtë event në faqen zyrtare të Turning Point USA.
Në homazhe po marrin pjesë edhe Presidenti amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance.
Donald Trump, para se të nisej për funeralin e aktivistit Charlie Kirk, tha:
"Tek Erika Kirk dhe familja e Charlie Kirk do të shpreh dashurinë time. Nuk ka shumë çfarë të them; do të flas për gjërat e mëdha që ka bërë, për ndikimin e tij të madh.”
Ai shtoi gjithashtu: "Të rinjtë e respektonin. Para dhjetë vjetësh kolegjet do të ishin një vend i rrezikshëm për konservatorët, tani nuk janë më.”
Një prani e lartë e sigurie është në stadium me mbizotërimin e Shërbimit Sekret të SHBA-ve. Ndërkohë ditën e djeshme, në ambientet e stadiumit u arrestua një person i armatosur me thikë dhe i maskuar si oficer policie. I dyshuari u identifikua si 42-vjeçari Joshua Runkles dhe u arrestua pas sjelljeve të tij të dyshimta.
Në një deklaratë të postuar në X, zëdhënësi i Turning Point USA, Andreë Kolvet, tha se individi "po bënte siguri paraprake për një mysafir të njohur që planifikonte të merrte pjesë në shërbimin përkujtimor nesër. Ne nuk besojmë se ky person po përpiqej të bënte diçka të keqe, megjithatë, kjo nuk u bë në koordinim të duhur me ekipin e sigurisë së TPUSA-s ose Shërbimin Sekret të SHBA-së".
Erika Kirk, vejusha e aktivistit konservator, i rrëfeu New York Times reagimin e saj kur e pa në spital pas atentatit fatal në Utah Valley University. Ajo tha:
"Sytë e tij ishin gjysmë të hapur, dhe kishte atë gjysmë buzëqeshjen e vetëdijshme, si Mona Liza. Dukej se kishte vdekur i lumtur. Si të ishte shpëtuar nga Jezusi. Plumbi arriti, ai e mbylli për një çast syrin dhe ishte në parajsë.”
Vejusha shtoi se Trump e kishte telefonuar dy herë pas vrasjes:
„Më tha: ‘Na tregoni si mund t’ju mbështesim’. Unë i thashë: ‘Burri im e donte të bisedonte me ju dhe t’ju përdorte si pikë referimi për shumë gjëra. Mund të vazhdojmë kështu?’ Dhe ai tha: ‘Sigurisht’.”
Natën para tragjedisë, gjatë një darke lutjeje për turneun universitar „The American Comeback Tour”, Erika i kishte sugjeruar burrit të saj të vishte jelek antiplumb. „Jo ende”, i kishte kthyer përgjigje Charlie, i bindur se shoqërimi i tij siguronte mbrojtje të mjaftueshme.
Kirk u qëllua nga një plumb i vetëm më 10 shtator ndërsa fliste para një turme prej 3,000 personash, kryesisht studentë kolegji. 22-vjeçari Tyler Robinson akuzohet për vrasjen e e Kirk për të cilin prokurorët thane s do kërkojnë dënimin me vdekje.
Kirk themeloi Turning Point USA në vitin 2012, në moshën 18 vjeç, për të organizuar konservatorët e rinj. Gjatë 13 viteve, ai e transformoi atë në një organizatë të fuqishme të krahut të djathtë me një shtrirje të thellë në shkollat e mesme, kolegjet dhe rrjetet sociale.
Të enjten, bordi njoftoi se Erika Kirk u zgjodh unanimisht për të pasuar bashkëshortin e saj si CEO dhe kryetare e bordit të drejtorëve të Turning Point.
Komente

Po sallen me kercyer o Donald a e kryve?
Përgjigju