Ende sot e kësaj dite flitet për çështjen çame, pikërisht sepse vijon të mbetet e pazgjidhur dhe një plagë e hapur për familje të panumërta shqiptare, viktima të dëbimit me forcë nga tokat e shtëpitë e tyre. Historianë të ndryshëm ishin mbledhur për të diskutuar sot, 81 vjet nga ajo ngjarje. Mes tyre, Pëllumb Xhufi, analizoi qasjen e autoriteteve shqiptare veçanërisht në raportet me Greqinë.
"Me përfundimin e Luftës Civile në Greqi në favor të forcave nacionaliste konservatore dhe antishqiptare, problemi çam doli nga axhenda politike e Tiranës. Lufta e Ftohtë e vendosi Shqipërinë në krah të kundërt me ato fuqi që mirë apo keq kishin qenë ideatore dhe sponsore të shtetit shqiptar në kufijtë, qoftë të ngushtë, të vitit 1913.", - tha Xhufi.
Reshtimi në frontin lindor dhe mungesa e marrëdhënieve me Greqinë, bëri që kjo çështje të mos ishte në diskutim për shumë vite. Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin të tensionuara për shumë kohë dhe kjo çështje u përdor politikisht. Me gjithë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në 1970, pala greke evitoi kontaktet politike mes dy palëve.
“Çështja çame si çështje të tjera me Greqinë, si ai i ligjit të luftës, i njohjes së kufirit, i kthimit të pronave qytetarëve shqiptarë i bllokuar me ligjin e 1940-ës, mbetën të gjitha çështje të patrajtuara me liderët e Athinës.”, - vijoi historiani.
Sipas Xhufit përbën provë kurajoje e dinjiteti, që prej viti 1972, diplomatët shqiptarë të akredituar në Athinë kanë kryer vizita të rregullta në zonën e Çamërisë.
Çështja çame u risoll në vëmendje nga Ramiz Alia në takimin që ai pati me kryeministrin grek Mitsotakis, kur e pyeti çfarë do të bëhej me kthimin e çamëve, por që solli ndërprerje të bisedës mes tyre. Në 1993, kjo çështje u shtrua sërish për diskutim nga kryeministri Aleksandër Meksi, i cili kërkoi që çamët të vizitonin vendin e të parëve, rikthimin e pronave dhe rikthimin e çamëve. Përpjekje për të sjellë sërish në diskutim çështjen pati edhe në 2005-ën nga Alfred Moisiu, por pa sukses. Çështja u risoll në vëmendje në vitin 2013, duke qenë se vetë çamët përfaqësoheshin edhe në parlament.
“U detyruan që me qeverinë e re greke të Cipras, një nga kryeministrat më pak antishqiptarë që ka pasur Greqia, të rihidhnin në tryezë problemin çam. U pranua të diskutohej dhe qe fitore.”, - tha Xhufi.
Por sipas Xhufit, kjo qe një flluskë që u shua dhe sot jemi në një situatë, ku çështja çame preferohet të lihet në heshtje.
Komente
