Çështja e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë, Dule: Nuk është një tekë, flitet për çështje ekonomike! Vangjeli: Trashëgimi i problemit, zgjidhja e gjetur nga politika

22 Mars 2023, 15:06| Përditesimi: 22 Mars 2023, 17:41

  • Share

Marrëveshja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë që cakton ujërat territoriale të dy vendeve, ka mbetur pezull që kur këto dy shtete vendosën që ta dërgojnë çështjen në gjykatën ndërkombëtare të Hagës.

Kryetari i partisë ‘PBDNJ’, Vangjel Dule e ka komentuar këtë çështje në studion e ‘Kontrast’ me gazetarin Denis Minga duke deklaruar se pavarësisht se marrëdhëniet mes dy vendeve duken në një pikë më të mirë, ende nuk u është dhënë një përmbajtje e caktuar politike.

Duke iu referuar vendimit të gjykatës Kushtetuese për të mos pranuar marrëveshjen që cakton ujërat territoriale mes dy vendeve, Dule tha se një vendim i tillë nuk mund të zhbëjë marrëveshjen sepse nuk qëndron mbi marrëveshjet ndërkombëtare.

“Dy vende mike, i zgjidhin problemet e tyre në bashkëbisedim. Vetëm kur shterohet dialogu pa zgjidhje, i drejtohesh një të treti, që në këtë rast është gjykata. Por kjo është një zgjidhje nga moszgjidhja ku jemi orientuar deri më tani. Të gjithë kujtojnë se kjo është një tekë, por nuk është ashtu. Duhet të ndajmë territoret tona detare, sepse është edhe çështje ekonomike.  Gjykata Kushtetuese,, nuk ka gjykatë kushtetuese të asnjë vendi që mund të qëndrojë mbi marrëveshjet ndërkombëtare ku shteti është palë. Argumenti i gjykatës Kushtetuese nuk mund ta zhbëjë vendimin”-tha Dule.

Nga ana tjetër, analisti, Lorenc Vangjeli  tha se mungonte guximi i palëve politike për të zgjidhur problemin. Sipas tij palët kanë gjetur si zgjidhje trashëgimin e problemit për të shmangur akuzat penale që mund të rëndojnë ndaj tyre nëse kanë pretendime të caktuara për ujërat territorialë pas marrëveshjes.

“Meqenëse lojërat në kufi, në Ballkan janë të rrezikshme, mungon guximi për të dalë ballë . Është zgjidhja më e mirë për ta lënë të rrjedhë dhe ta trashëgojnë si problem. Duket si zgjidhja më e mirë por në fakt është e gabuar.  Nëse harta e re do të jetë një pëllëmbë më e madhe se e vjetra, nga pikëpamja morale, të gjithë ata që kanë firmosur dje, janë më së paku subjekte të dy neneve të kodit penal. Politika në këtë rast si në Athinë si në Tiranë, ka vetëm një mision, detyrën të ofrojë vullnet të plotë për t’u ndarë në kuptimin më të plotë të mundshëm”- u shpreh Vangjeli.

Çështja e Detit:

Pas rrëzimit në vitin 2010 të marrëveshjes Shqipëri-Greqi për zonat detare çështja kaloi në "heshtje", por mbeti përsëri një çështje e hapur dhe pa zgjidhje përfundimtare mes vendeve, madje edhe duke shkaktuar debate të brendshme në Shqipëri dhe Greqi. Në prill të vitit 2018, Qeveria e Shqipërisë e drejtuar nga kryeministri Rama dhe Qeveria e Greqisë e drejtuar nga Alexis Tsipras filluan zyrtarisht bisedimet zyrtare për çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve, ndërkohë pas disa raundesh negociatash nuk u arrit një marrëveshje përfundimtare dhe negociatat u ndërprenë.

Nga ana tjetër, pretendimet e Greqisë për zgjerimin e ujërave në Detin Jon, kanë shkaktuar reagime të shpeshte edhe të zyrtarëve të lartë të Shqipërisë. Kryeministri Rama ka ripërsëritur aso kohe disa herë qëndrimet e tij në lidhje me pretendimet e Greqisë për zgjerimin e ujërave territoriale në Detin Jon, duke theksuar se "e drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur".

Nëse palët do ta mbyllin përfundimisht këtë çështje pritet të shikohet në muajt e ardhshëm, pasi dy vendet të kenë bërë gati dosjet me pretendimet e tyre për trajtimin e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe pasi edhe kjo gjykatë të ketë dhënë një vendim. 

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?