Në një intervistë të gjatë për gazetarin grek Pavlos Papadhopulos, më gazeten ‘Kathimerini’ kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama ka folur edhe për çështjen e detit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, çështje e cila tashmë është dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Rama tha se është shumë i kënaqur që arriti këtë marrëveshje me kryeministrin Grek, ish-kryeministrin grek Aleksis Tsipras.
Megjithatë shtoi se Rama marrëveshja është arritur në parim, pasi duhet të kalojë hapat. Sipas Ramës presidenti tashmë duhet të japë një autorizim të ri për grupin negociator që të fillojë punë dhe, pastaj, duhet të përgatisim diçka të quajtur marrëveshje e përbashkët. Sa i takon teorive për ndëhyrjen e presidentit turk Erdogan në këtë çështje Rama, tha se kjo është një teori konspirative.
Pjesë nga intervista
Gazetari: Më lini t’u pyes diçka të fundit, tërësisht ndryshe nga Himara dhe Beleri. Ka të bëjë me zonat detare. Në vitin 2010, si udhëheqës i opozitës, ju e kundërshtuat marrëveshjen e 2009-ës për zonat detare midis Greqisë dhe Shqipërisë. A jeni i gatshëm tani, realisht i gatshëm, të nënshkruani një marrëveshje arbitrazhi dhe t’ia referoni çështjen Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë apo jo?
KRYEMINISTRI EDI RAMA: Dëgjoni, ky është sërish një shembull i mirë për t’ju shpjeguar sesi e shoh unë politikën. Kur u nënshkrua kjo marrëveshje midis paraardhësit tim dhe, më duket, Karamanlisit dhe Dora e firmosi me kundërshtarin tim të dashur, unë nuk e kisha idenë, askush nuk e kishte idenë çfarë ishte. Doli si lajm dhe të gjithë ishin në rregull, me idenë që është një marrëveshje midis Greqisë dhe Shqipërisë, pra s’ka asgjë të keqe. Më pas, disa njerëz nga shoqëria civile, konkretisht, një ish-ushtarak i lartë nisi të shkruante gjëra që ishin shumë shqetësuese. Kur ka arsye për t’u ngritur kundër shqiptarëve në Greqi, ka shumë njerëz atje që e bëjnë. E njëjta gjë ndodh në Shqipëri kundër grekëve, gjen shumë njerëz që e bëjnë. Klima u helmatis e u ndez shumë. Njerëzit e partisë sime thoshin se ky ishte një rast i mirë për t’u vërsulur. U thashë “jo, sepse kjo do të ishte shumë e lehtë. Nëse fillojmë të hapim një betejë politike për këtë, çfarë do të themi, ku do dalim?” Në të njëjtën kohë, argumentet ishin tejet shqetësuese, ndaj iu thashë: “Dëgjoni, e vetmja gjë që mund të bëjmë është ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese”. Meqë ra fjala, në atë kohë, Gjykata Kushtetuese kishte gjithnjë vendime mjaft të balancuara ose, kryesisht, me shumicë, nga ana tjetër, ndaj iu thashë: “Është një gjykatë e balancuar. Janë njerëz të arsyeshëm, kështu që janë ata të cilët duhet t’i hyjnë me themel, pasi marrëveshjet detare nuk janë të lehta dhe nuk ka shumë njerëz që e njohin legjislacionin e detit, sepse është një qoshe e veçantë në universin e ligjit”. E çuam në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese mori një vendim 9 me zero, 9 me zero kundër qeverisë, diçka shumë e rrallë. Kjo mbeti çështje e hapur dhe kur u bëra kryeministër, nisa të flas për të, e më kujtohet kur bëra diskutimin e parë, kur (kryeministri) Samaras më kërkoi se ç’mendoja. Më pas, kur i bëmë këto diskutime me Aleksisin (Tsipras), i thashë: “Përse të mos shkojmë në Gjykatën Ndërkombëtare?” Kjo është diçka për të cilën vendet tona... Këtu jemi të ngjashëm. Ju mund të jeni në Bashkimin Europian dhe ne jemi kandidatë, ju jeni përpara nesh, sepse historia është treguar më bujare me ju sesa me ne, e keni pasur BE-në përpara nesh prej një kohe të gjatë, por në këtë pikë vazhdojmë të jemi të ngjashëm. Prodhojmë ende më shumë histori nga ç’mund të tresim. Kur bëhet fjalë për të tilla gjëra, sigurisht që mund të shpallesh në çast tradhtar, qoftë nga ana greke apo ajo shqiptare. Të dyja palët akuzojnë për tradhti, megjithëse nuk mund të ketë tradhti konsensuale në të dyja anët. Njëri duhet të jetë tradhtari, tjetri përfituesi apo jo? Kështu i shprehja këto, por “Jo, jo, jo.” Aleksisi ishte i ftohtë (mbi këtë ide). Nisëm të zhvillonim negociata pas negociatave për këtë. Shkuam në një pikë të mirë, më duhet të them, por, pastaj, poezia, proza e Syriza-s mbaroi dhe ne rifilluam. Jam shumë, shumë, shumë i kënaqur që arritëm në këtë marrëveshje që, më mirë, t’ia lëmë Gjykatës Ndërkombëtare.
Gazetari: Keni arritur tashmë një marrëveshje me palën greke?
KRYEMINISTRI EDI RAMA: Jo, jo, kemi arritur në një marrëveshje në parim, se marrëveshja duhet të kalojë hapat. Pra, jemi marrë vesh në parim (për të shkuar në gjykatën ndërkombëtare). Tani duhet të kryer procedura. Presidenti duhet të japë një autorizim të ri për grupin negociator që të fillojë punë dhe, pastaj, duhet të përgatisim diçka të quajtur marrëveshje e përbashkët...
Gazetari: Marrëveshja e Përbashkët Kompromisi për t’iu drejtuar gjykatës
KRYEMINISTRI EDI RAMA: Po. Pra, kjo është diçka që duhet arritur dhe shpresoj...
Gazetari: A jeni optimist, që do të realizohet?
KRYEMINISTRI EDI RAMA: Shpresoj.
... Çështja e Detit:
Pas rrëzimit në vitin 2010 të marrëveshjes Shqipëri-Greqi për zonat detare çështja kaloi në "heshtje", por mbeti përsëri një çështje e hapur dhe pa zgjidhje përfundimtare mes vendeve, madje edhe duke shkaktuar debate të brendshme në Shqipëri dhe Greqi. Në prill të vitit 2018, Qeveria e Shqipërisë e drejtuar nga kryeministri Rama dhe Qeveria e Greqisë e drejtuar nga Alexis Tsipras filluan zyrtarisht bisedimet zyrtare për çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve, ndërkohë pas disa raundesh negociatash nuk u arrit një marrëveshje përfundimtare dhe negociatat u ndërprenë.
Nga ana tjetër, pretendimet e Greqisë për zgjerimin e ujërave në Detin Jon, kanë shkaktuar reagime të shpeshte edhe të zyrtarëve të lartë të Shqipërisë. Kryeministri Rama ka ripërsëritur aso kohe disa herë qëndrimet e tij në lidhje me pretendimet e Greqisë për zgjerimin e ujërave territoriale në Detin Jon, duke theksuar se "e drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur".
Nëse palët do ta mbyllin përfundimisht këtë çështje pritet të shikohet në muajt e ardhshëm, pasi dy vendet të kenë bërë gati dosjet me pretendimet e tyre për trajtimin e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe pasi edhe kjo gjykatë të ketë dhënë një vendim.
Gjatë intervistës me Kathemirinin, kryeministri Edi Rama është pyetur nëse presidenti i Turqisë Erdogan ka ndërhyrë në marrëveshjen për çështjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Rama tha se këto janë teori konspirative e se presidenti turk sipas Ramës nuk është anti-grek.
Pjesë nga intervista
Gazetari: Ka zëra dyshues. I dini ata zëra dyshues që thonë se Edi Rama preferon miqësinë strategjike të Presidentit Erdogan dhe Presidenti Erdogan nuk dëshiron një marrëveshje midis Greqisë dhe Shqipërisë, sepse një marrëveshje e tillë mund të përdoret si model për një marrëveshje të ardhshme në Egje midis Greqisë dhe Turqisë. Është kjo një tjetër histori konspirative?
KRYEMINISTRI EDI RAMA: Kjo është një goxha teori konspirative. E para, sepse kur unë e kundërshtova marrëveshjen në gjykatë, nuk e kisha takuar kurrë Presidentin Erdogan dhe nuk kisha asnjë lidhje me askënd në Turqi, se ishim në opozitë. E dyta, po, kemi një marrëveshje partneriteti strategjik me Presidentin Erdogan, por nuk mendoj që duhet të zgjedhim mes Presidentit Erdogan apo Qirjakos Mitsotakis, midis Greqisë dhe Turqisë. Ne i duam të dyja. Fakti që ju nuk e keni shumë qejf njëri-tjetrin nuk duhet të përbëjë problem për ne që t’ju pëlqejmë të dyve, mendoj. Presidenti Erdogan kurrë, asnjëherë – po jua them këtë dhe është fjala ime kundër teorive konspirative – nuk më ka kërkuar, madje as më ka pyetur, çfarë po ndodh me këtë. Kurrë! Asnjëherë! Ai nuk ka nevojë për Shqipërinë për të bërë betejat e tij. Duke qenë se po flasim për Presidentin Erdogan, po jua them, ndjesia ime është që Presidenti Erdogan nuk është anti-grek. Presidenti Erdogan është ai, që ju e dini shumë mirë besoj, pati kurajën kur ende nuk ishte ky që është sot, por ishte vetëm kryeministër, të hidhte në tryezë një marrëveshje për Qipron, ju kujtohet, që ishte diçka mjaft e rrezikshme për karrierën e tij në Ankara dhe e bëri. Asokohe ai u - nuk do të përdor atë fjalën e forte, por diçka e ngjashme, ju mund të gjeni në greqisht një fjalë më të butë –nga Bashkimi Europian! Pastaj gjatë krizës së rëndë që kaloi Greqia, nuk e pashë të shfrytëzonte rastin që ta rëndonte ca më shumë, sepse, po të donte të shkatërronte Greqinë apo nëse ai ka ndërmend të shkatërrojë Greqinë, do ta kishte përdorur atë moment për ta bërë (krizën) më të dhimbshme, duke përdorur refugjatët e me radhë. Nuk e bëri. Vërtet, nuk e kam parë kurrë tek ai një njeri që ushqen ndjenja të këqija ndaj Greqisë dhe popullit grek. Natyrisht, ai ka mendimin e tij lidhur me situatën mes jush, me çështjen e detit, po nuk i hyj kësaj, se nuk më takon mua, por, mesa di, pala turke ka kohë që kërkon të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare, kështu? Kjo është pra! Ne jemi të kënaqur që pala greke pranoi që të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare me ne dhe shpresoj të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare edhe me Turqinë dhe çështja të zgjidhet nga një palë e tretë, me të cilën të dyja palët bien dakord. Në të kundërt, do të vazhdojmë të jemi tradhtarë mes tradhtarësh të tradhtarëve, e kjo nuk është një ide e mirë.
Tradhtar shqipfolës i pështirë
Përgjigju