Trump dje sulmoi mbështetësit e tij që vazhdojnë të kritikojnë "mbylljen" e çështjes Epstein nga Prokurorja e tij e Përgjithshme Pam Bondi: në një postim të gjatë në rrjetin e tij social Truth (E vërteta) dhe më pas nga Zyra Ovale, presidenti e quajti këtë një “mashtrim” të orkestruar nga “e majta radikale”, njësoj si “mashtrimi i Russiagate”, dhe akuzoi republikanët që vazhdojnë të flasin për këtë çështje se “luajnë lojën e demokratëve”, duke u shprehur aq i zhgënjyer saqë tha: “Nuk dua më mbështetjen e tyre!”. Ditët e fundit ka deklaruar se nuk kuptonte arsyet përse “kjo histori vazhdon” duke e cilësuar “të mërzitshme”, por nëse Bondi dëshiron të publikojë informacione të besueshme, ai është shprehur i gatshëm. Frustrimi i tij arriti kulmin dje. Zakonisht “baza” e dëgjon, por këtë herë jo. Epstein vazhdon të dominojë diskutimet e aktivistëve MAGA, ndërsa Trump do që ata të flasin vetëm për sukseset e tij.
Edhe mes republikanëve në Kongres janë ngritur zëra si ai i Mike Johnson, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, që zakonisht nuk e kundërshton kurrë Trumpin, por që në një podcast ka thënë se nevojitet më shumë transparencë për çështjen Epstein: si shumë kolegë të tij, ai është përmbytur nga telefonatat e votuesve që kërkojnë “të vërtetën”. Të tjerë, si Ralph Norman nga Karolina e Jugut dhe Thomas Massie nga Kentucky, i janë bashkuar demokratëve për të tentuar të detyrojnë publikimin e dokumenteve mbi Epstein. Ata deklarojnë besnikëri ndaj Trumpit dhe thonë se është në interesin e tij të kënaqë “bazën”, e cila nuk e pranon dot përfundimin e Departamentit të Drejtësisë dhe të FBI-së se nuk ka asnjë listë të fshehtë klientësh të Epstein, nuk ka lidhje me qeveri të huaja, nuk ka “mbrojtës të Uashingtonit” që kanë fshehur krimet seksuale të financierit pedofil dhe miqve të tij, apo që, të shantazhuar, e kanë vrarë më në fund.
The Wall Street Journal i ka dhënë hapësirë Alan Dershowitz, dikur avokati i Epsteinit: nuk ka asgjë për të zbuluar — shkruan ai në një editorial —, nuk ekziston ndonjë listë sekrete klientësh, por FBI ka hartuar një listë bazuar në dëshmitë e viktimave të dyshuara, e cila është mbajtur e klasifikuar nga gjykatat (Dershowitz thotë gjithashtu se Trump — të cilin e ka përfaqësuar ligjërisht — është i pafajshëm).
Demokratëve kjo histori u pëlqen jashtëzakonisht shumë: përsërisin se kush vuan nga teoritë e konspiracionit, nga konspiracioni do të shkatërrohet. Trump dhe ndjekësit e tij kanë ushqyer për vite me radhë teori konspirative dhe mosbesim ndaj qeverisë. Por janë edhe dy aspekte të tjera: i pari është se Bondi nuk është e pëlqyer nga të gjithë MAGA-t. Edhe pse ajo mbrojti Trump gjatë gjyqit të shkarkimit dhe e ndihmoi atë të kundërshtonte humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020, ajo nuk i mbrojti protestuesit e 6 janarit; ata e shohin atë si të lidhur me sistemin (Jeb Bush në Florida), dhe anti-vaksinuesit nuk harrojnë se si avokate, ajo përfaqësoi Pfizer. Kështu, tani paradoksalisht, demokratët nuk kërkojnë që Bondi të japë dorëheqjen sepse nuk duan që ajo të jetë kurbani: ata duan të përmbysin Trumpin. Aktivistja e ekstremit të djathtë Laura Loomer, e cila kërkon dorëheqjen e Bondit, paralajmëroi dje se çështja Epstein rrezikon të “konsumojë presidencën Trump”, por gjithashtu e kundërshton presidentin: “Nuk është një mashtrim i plotë…”.
Aspekti i dytë është se është ekzagjerim të thuash që është krijuar një përçarje mes Trumpit dhe popullit MAGA. Figura si Steve Bannon apo Tucker Carlson, kur kritikojnë ndërhyrjen në Iran, në Ukrainë apo çështjen Epstein, nuk po e kritikojnë Trumpin, i cili në çdo rast mbetet imun ndaj çdo kritike, por po shikojnë përtej: synojnë të formësojnë doktrinën e lëvizjes për atë që do të vijë pas Trumpit. Por as Irani e as Ukraina nuk kanë pasur jehonën e çështjes Epstein sepse kjo e fundit përfaqëson në mënyrë të përkryer hijen e shtetit të thellë./Corriere della sera
Komente
