FSHF-ja, përmes Komisionit të Disiplinës, i vendos ultimatum Tiranës, duke i treguar se çfarë e pret nëse nuk zbaton vendimin e saj të janarit 2017. Më konkretisht, për mosshlyerje të borxhit prej 100 milionë lekësh ndaj Gjergji Muzakës.
Pikërisht për këtë, klubi bardheblu është ndëshkuar sot me heqje të 3 pikëve nga klasifikimi aktual. Por, nëse nuk e bën këtë gjë brenda 15 ditëve të ardhshme, do t’i hiqen po kaq pikë e kështu me penalitete të tjera, në radhë.
Ja vendimi konkret i Disiplinës:
KF “Tirana”, për dështim në përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj kërkuesit Gjergji Muzaka, dënohet me zbritjen e 3 pikëve nga klasifikimi.
KF “Tirana” i jepet një afat përfundimtar prej 15 ditësh për të shlyer detyrimet financiare ndaj kërkuesit.
Paralajmërohet KF “Tirana” se në rast dështimi në përmbushjen e detyrimeve financiare, do të dënohet sërish me zbritje e 3 pikëve nga klasifikimi brenda një afati 10 ditor për shlyerjen e detyrimeve financiare.