TIRANË- Florenc Capja, do të rigjykohet nga Gjykata e Elbasanit për atentatin e mbetur në tentativë ndaj ish-efektivit të rrugores Fadil Mema, ngjarje e ndodhur në vitin 2006. Gjykata e Lartë ka zhbërë në këtë mënyrë një vendim të vitit 2019 të Gjykatës së Elbasanit i lënë në fuqi një vit më vonë edhe nga Apeli i Durrësit, që pushoi çështjen ndaj Çapjas, lidhur me këtë ngjarje.
Vendimi është marrë nga treshja e gjykimit e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni, të cilët shqyrtuan rekursin e Prokurorisë, që kundërshtonte pushimin e çështjes për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Fadil Memës, si dhe armëmbajtje pa leje me argumentin se nuk ka prova të mjaftueshme.
Gjykata e Lartë vendosi t’ia rikthejë çështjen gjykatës së Elbasanit në seancë paraprake. Florenc Çapja është në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, pasi gjykata e posacme e Apelit e ka dënuar me “burgim të përjetshëm” për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit në 2012. Pasi u pushua çështja ndaj tij në 2019, Florenc Çapja u lirua nga qelia dhe nuk ndodhet më në Shqipëri. Ai dyshohet se fshihet në Dubai, një vend ku strehohen të kërkuarit nga drejtësia pasi është e vështirë për të arritur marrëveshje ekstradimi.
Vendimi i pushimit në vitin 2019 u mor nga gjyqtari i Elbasanit Tomor Kulloli dhe u la në fuqi edhe nga gjyqtarja e apelit te Durrësit Anita Mici, dy gjyqtarë të cilët janë larguar nga vettingu. Në atë kohë, prokuroria Elbasanit ngriti akuzat “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, ndaj Çapjas dhe kërkoi që dosja të kalonte për gjykim por u pushua nga gjykata.