Kronikë

Çështja ndaj Veliajt, SPAK thërret Plarent Ndrecën! Deputeti i PS: S'ka lidhje me veprimtarinë parlamentare

17 Qershor, 14:54| Përditesimi: 17 Qershor, 18:21

  • Share

TIRANË- Për rreth 1 orë e gjysmë, deputeti i PS, Plarent Ndreca u pyet nga SPAK. Burime për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi e bënë me dije se ligjvënësi socialist u thirr nga prokurori Ols Dado si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, për çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Nuk dihet nëse ka të bëjë me takimet e raportuara në paraburgim apo me ndonjë fakt tjetër penal që mund të ketë dalë nga hetimet.

"U thirra si person në dijeni për rrethanat e një hetimi.

Për çështjen e Veliajt që e keni takuar në paraburgim?

Jo nuk është kjo. Është çështje në hetim, unë jam në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit.

Ndreca ka reaguar edhe përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thotë se paraqitja e tij në SPAK ditën e sotme, s'ka lidhje me veprimtarinë e tij parlamentare. Sipas tij, thirrja e një deputeti për të dhënë sqarime në një institucion si SPAK, si dhe përgjigjja vullnetare nga ana e tij ndaj kësaj thirrjeje, është pjesë të marrëdhënies normale institucionale që e përcakton edhe Kushtetuta.

'Ju lutem mos keqinformoni opinionin publik (sigurisht, jo të gjithë ju). Siç e kam sqaruar edhe në dalje nga Prokuroria e Posaçme, prezenca ime aty sot kishte të bëjë me dhënien e sqarimeve lidhur me disa rrethana të një hetimi në zhvillim për persona të tretë. Kjo çështje nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë time parlamentare, as me vizitat e kryera në këtë funksion. Thirrja e një deputeti për të dhënë sqarime në një institucion kushtetues si Prokuroria e Posaçme, ashtu si edhe përgjigjja ime vullnetare ndaj kësaj thirrjeje, nuk përbën as lajm, as diçka të jashtëzakonshme. Është pjesë e marrëdhënies normale institucionale që përcakton vetë Kushtetuta.

Nga ana tjetër, ky respekt për institucionet nuk e përjashton, përkundrazi, e nxit detyrimin për t’i vëzhguar ato nga afër veçanërisht në mënyrën se si ushtrojnë kompetencat e tyre. Kjo mbetet pjesë thelbësore e veprimtarisë sime parlamentare, deri në ditën e fundit të mandatit. Veprimtari që do të ushtrohet në ditët në vijim përmes publikimit të sjelljeve të disa institucioneve kushtetuese, të cilat në këndvështrimin tim, me heshtjen ndaj shkeljeve, veprojnë në kundërshtim me mandatin e tyre kushtetues dhe brënda një qasje korporatiste, që vetëm drejtësisë për njerzit nuk i shërben', tha ai. 

SI.E./S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se rinumërimi i 44% të kutive të votimit do ndryshojë rezultatin?