Çështja ‘Xhaçka’ drejt komisionit të Venecias, PS do sqarim për përplasjen e kompetencave mes Kuvendit dhe Kushtetueses

4 Shtator, 17:34| Përditesimi: 4 Shtator, 17:39

  • Share

Pavarësisht vendimit që do të marrë Kuvendi apo më tej edhe Gjykata Kushtetuese për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka, mazhoranca socialiste nuk është tërhequr nga vendimi i saj për të kërkuar një opinion nga Komisioni i Venecias.

Burime pranë PS i thanë Report Tv se do t’i drejtohen këtij institucioni ndërkombëtar, për një mendim ezaurues pasi janë të bindur se ka një përplasje kompetencash mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese për vendimet që vijnë nga kjo e fundit, e për detyrimin që kanë ose jo deputetët për të votuar pro kërkesave për konfliktin e interesit në mandatin e deputetit.

Të enjten e 12 shtatorit, çështja Xhaçka kalon për herë të tretë në parlament dhe deputetët do të duhet të vendosin me votë nëse mandatin e koleges së tyre do të cojnë në gjykatën kushtetuese apo sërish do të dalin kundër vendimit të saj. Për këtë çështje socialistët thonë se nuk ka asnjë vendim politik e as orientim dhe se deputetët do të jenë të lirë të votojnë sipas këndvështrimit të tyre.

 Të njëjtat burime thanë se çështja Xhaçka në parlament dhe gjykatë kushtetuese do të vazhdojë procesin e saj normal, dhe se opinioni nga Komisioni i Venecias do të kërkohet për të qartësuar sjelljen me rastet që do të pasojnë, për të shmangur një tjetër përplasje mes dy institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit.

I gjithë ky ngërç nisi pasi Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar me dy vendime Kuvendin që t’i çojë për shqyrtim mandatin e deputetes Xhaçka, raport të cilin mazhoranca socialiste e ka rrëzuar dy herë në parlament, nën argumentin se vota e deputetit është e lirë dhe nuk mund të kushtëzohet nga vendimet e kushtetueses.

Çështja “Xhaçka” ka nisur që prej qershorit të vitit 2022, kur opozita kërkoi heqjen e mandatit të saj me argumentin se deputetja socialiste është në konflikt interesi për shkak të titullit investitor strategjik që bashkëshorti i saj gëzon me vendim qeverie.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?