Nuk është vala e nxehtë e verës ajo që po i bën udhëheqësit dhe bizneset evropiane të djersiten. Është shqetësimi se manipulimi i Rusisë me furnizimet me gaz natyror do të çojë në një krizë ekonomike dhe politike dimrin e ardhshëm. Ose, në rastin më të keq, edhe më shpejt.
Ja disa nga çështjet kryesore që lidhen me lojën që po luhet me energjinë, si pasojë e luftës në Ukrainë:
ÇFARE NDODHI?
Rusia javën e kaluar pakësoi furnizimet me gaz për pesë vende të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Gjermaninë, ekonominë më të madhe të bllokut me 27-vende që varet shumë nga gazi i Moskës.
Gjigandi energjetik shtetëror rus Gazprom ka shkurtuar furnizimet përmes gazsjellësit Nord Stream 1, që kalon nën Detin Baltik, nga Rusia në Gjermani - tubacioni kryesor i gazit natyror në Evropë - me 60%. Italia po sheh një përgjysmim të furnizimit të saj. Austria, Republika Çeke dhe Sllovakia gjithashtu kanë parë pakësime të furnizimit.
Kjo vjen pas ndërprerjes së furnizimit me gaz të Polonisë, Bullgarisë, Danimarkës, Finlandës, Francës dhe Holandës, gjatë javëve të fundit. Këto ndërprerje, u panë fillimisht si më pak problematike, sepse Polonia, për shembull, po hiqte tashmë gradualisht gazin rus deri në fund të vitit, ndërsa të tjerët kishin furnizime alternative.
Megjithatë, shkurtimet e fundit goditën vendet, që kanë ekonomi të mëdha dhe përdorin sasi të mëpdha gazi natyror rus. Gjermania mbështetet tek Rusia për 35% të importeve të saj të gazit; Italia për 40%. Tani për tani, furnizimet me gaz janë të mjaftueshme për nevojat aktuale.
PSE JANË SHQETËSIM PAKËSIMET E FURNIZIMEVE?
Evropa po përpiqet të mbushë depozitën e saj nëntokësore të gazit përpara dimrit. Ndërmarrjet e gazit funksionojnë me një ritëm të rregullt, duke mbushur rezervat gjatë verës – kur, mund të blejnë gaz më lirë – dhe më pas e zvogëlojnë atë gjatë dimrit ndërsa kërkesa për ngrohje rritet. Pakësimet e furnizimit do ta bëjnë rimbushjen e depozitave më të shtrenjtë dhe të vështirë për t'u realizuar.
Ky veprim rrit mundësinë e një mbylljeje të plotë të furnizimeve me gaz rus, që do ta bënte të pamundur për Evropën të sigurojë sasinë që i nevojitet për dimër. Gazi natyror përdoret nga disa industri, si prodhuesit e qelqit dhe prodhuesit e çelikut, të cilët tashmë po përballen me kosto më të larta, duke ndihmuar në ngadalësimin e ekonomisë evropiane.
Për momentin, depozitat nëntokësore të Evropës janë 57% të mbushura. Propozimi i fundit i Komisionit Evropian është që çdo vend të arrijë nivelin 80% deri më 1 nëntor, ndërsa Gjermania ka vendosur objektivin 80% deri më 1 tetor dhe 90% deri në 1 nëntor.
Analistët në institutin "Bruegel" në Bruksel paralajmërojnë se "Bullgaria, Hungaria dhe Rumania nuk do të përmbushin objektivin e BE-së prej 80% nëse vazhdojnë me shpejtësinë aktuale", ndërsa "Gjermania, Austria dhe Sllovakia do ta kenë shumë të vështirë të mbushin objektet e tyre të depozitave nëse ndërpritet furnizimi i gazit nga Rusia”.
ÇFARË PO BËHET?
BE-ja, e cila para luftës merrte rreth 40% të gazit të saj nga Rusia, ka hartuar plane për të ulur importet me dy të tretat deri në fund të vitit dhe për të hequr plotësisht varësinë nga gazi rus deri në vitin 2027. Blloku ka thënë tashmë se do të bllokojë qymyrin rus, duke filluar nga gushti dhe shumicën e naftës ruse pas gjashtë muajsh.
Qëllimi është t’i mohohen Rusisë 850 milionë dollarët në ditë që siguron nga shitjet e naftës dhe gazit në Evropë, për të parandaluar financimin e luftës së saj në Ukrainë.
Qeveritë dhe bizneset evropiane kanë blerë gaz të shtrenjtë natyror të lëngshëm, ose LNG, nga Shtetet e Bashkuara, që transportohet me anije çisternë, në krahasim me gazin që vjen me tubacion nga Rusia dhe është zakonisht më i lirë. Por lufta ka rritur çmimet e energjisë, që po nxisin inflacion rekord në Evropë dhe po ndihmojnë në mbajtjen e të ardhurave të larta për Rusinë.
Ka përpjekje për të marrë më shumë gaz nga Norvegjia dhe Azerbajxhani, ndërkohë që përshpejtimi i shfrytëzimit të energjisë së rinovueshme dhe ruajtja e saj pritet të luajnë rol më të vogël. Gjermania, e cila nuk ka terminale importi për gazin e lëngshëm LNG, po sjell katër terminale lundruese, dy prej të cilëve duhet të fillojnë të funksionojnë këtë vit.
Pavarësisht përqendrimit në energjinë e rinovueshme, kriza po i shtyn vendet të kthehen drejt karburanteve fosile. Gjermania po nxiton të miratojë ligjin për të rihapur termocentralet me qymyr, si një zgjidhje e përkohshme, pavarësisht planeve për të hequr dorë tërësisht nga qymyri deri në vitin 2030.
Zëvendës kancelari Robert Habeck tha se ishte "e hidhur" t'i kthehesh qymyrit, por se "në këtë situatë, është një domosdoshmëri." Qeveria planifikon masa për të nxitur industrinë dhe shoqëritë, që të përdorin më pak gaz natyror. Zoti Habeck gjithashtu u bëri thirrje gjermanëve të kursejnë energjinë.
“Përdorimi i gazit duhet të pakësohet më tej, në mënyrë që më shumë gaz të mund të magazinohet në depo, përndryshe në dimër do të jetë situatë e vështirë,” tha ai.
Qeveria holandeze thotë se do të lejojë që termocentralet me qymyr të operojnë sërish me kapacitet të plotë për të ruajtur gazin natyror.
Siguria e gazit në Evropë është e brishtë pavarësisht të gjitha këtyre masave.
Një shpërthim zjarri në një terminal eksporti në Freeport, të Teksasit, nxorri një të pestën e kapacitetit të eksportit amerikan jashtë funksionimit për muaj të tërë, duke shkaktuar një tronditje tjetër në tregun e gazit. Shumica e eksporteve të terminalit shkonin në Evropë.
"Situata në tregun evropian të gazit natyror po përshkallëzohet më tej," tha analisti i mallrave Carsten Fritsch në firmën Commerzbank Research, duke vënë në dukje shpërthimin dhe mbylljen e planifikuar të mirëmbajtjes së gazsjellësit Nord Stream 1, që do të thotë se nuk do të rrjedhë gaz përmes këtij gazsjellësi nga 11-21 korrik. "Rrjedhimisht, grumbullimi i nevojshëm urgjent i rezervave të gazit për muajt e dimrit mund të ulet" dhe çmimet ka të ngjarë të ngrihen edhe më lart.
ÇFARË LOJE PO LUAN RUSIA?
Gazpromi thotë se duhej të shkurtonte dërgesat drejt Evropës përmes gazsjellësit Nord Stream 1, sepse sanksionet perëndimore bllokuan një pajisje të rëndësishme në Kanada, ku ishte çuar për mirëmbajtje. Qeveritë evropiane nuk e besojnë këtë shpjegim dhe thonë se pakësimi i furnizimeve me gaz është një vendim politik.
Hapat e Gazpromit i kanë rritur ndjeshëm çmimet e gazit natyror pasi ato kishin rënë para fillimit të sezonit dimëror. Kjo rrit të ardhurat për Rusinë në një kohë kur ajo është nën presionin e sanksioneve ekonomike perëndimore dhe shton stresin mbi Evropën, që po i jep Ukrainës mbështetje politike dhe ushtarake.
Lëvizjet e Gazprom-it gjithashtu mund të shihen si një kundërshtim i sanksioneve perëndimore dhe si një pengesë për vendosjen e dënimeve të mëtejshme. Përdoruesit më të mëdhenj të gazit janë vënë në dijeni se, ashtu si më të vegjlit, nuk janë të përjashtuar nga një ndërprerje e mundshme.
Gjermania dhe Italia panë furnizimet e tyre të shkurtoheshin gjatë kohës kur udhëheqësit e tyre iu bashkuan presidentit francez Emmanuel Macron në Kiev për të takuar Presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe për të mbështetur statusin e vendit kandidatit në BE për Ukrainën.
A DO TË FIKIN DRITAT EVROPIANËT APO DO TË NGRIJNË SË FTOHTI KËTË DIMËR?
Kjo nuk ka gjasa të ndodhë sepse ligji i BE-së kërkon që qeveritë të racionojnë furnizimet me gaz për industrinë, në mënyrë që shtëpitë, shkollat dhe spitalet të ketë furnizim të mjaftueshëm. Vendet që kanë mungesë gazi, gjithashtu mund të kërkojnë ndihmë nga të tjerët, që mund të jenë në gjendje më të mirë, megjithëse kjo varet nga lidhjet e tubacioneve të gazit.
Ana negative e racionimit do të ishin shkurtimet industriale dhe mbylljet, që mund të kushtojnë vende pune dhe ngadalësim të ekonomive që përballen me inflacion të lartë dhe frikën e një ngadalësimi global, ndërsa bankat qendrore rrisin normat e interesit.
Po Gjermania ka nordsjellesin gasprom 2 perse nuk e vuri ne pune apo i dha urdher amerika ? Rusi tjua mbylli fare gazin ketyre europianeve se po te ishin keta ne pozicionin e Rusise dhe buken do tja ndalonin . Bota duhet te ndryshoje dhe jo te jete ligji i te fortit si ben amerika por te jene ligje njesoj per te gjithe te jene te baziar ne rregulla dhe ne respektim te sovranitetit dhe demokracise dhe jo ne baze te intrigave dhe grushteve te shtetit qe ben amerika te ato cende qe nuk i nenshtrohen keshtu qe do zoti te ndryshoje kjo bote mizore
Përgjigju