Kanë kaluar tre vjet e gjysmë nga shpërthimi i luftës në Ukrainë dhe javën e ardhshme mund të ndodhë një takim – për herë të parë në këtë fazë tepër delikate – mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, ndoshta me pjesëmarrjen edhe të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Por nëpër korridoret e Whitehall-it në Londër ndjehet gjithnjë e më shumë një bindje. Kjo luftë e nisur nga cari u ka treguar britanikëve se presidenti rus, pavarësisht të gjitha deklaratave të tij luftarake kundër Evropës, është i tmerruar nga një konflikt me NATO-n dhe nga mundësia e një përplasjeje bërthamore. Pikërisht për këtë, retorika e tij dhe ajo e emisioneve televizive ruse nuk duhet të merren kurrë shumë seriozisht. Pasi ka shpenzuar 75% të rezervave të tij strategjike për shkak të agresionit në Ukrainë dhe përgjigjes së mëvonshme të Perëndimit, sipas britanikëve Putin nuk ka qenë kurrë më i dobët që nga fillimi i luftës në Ukrainë, edhe pse ushtria ruse ka rifilluar së fundmi të avancojë shumë ngadalë në vend.
Në Whitehall tani shumë janë të bindur për këtë: parandalimi bërthamor, të cilin Evropa po e rrit dhe intensifikon bashkë me amerikanët, është e vetmja armë e vërtetë që ndalon Putinin nga pushtimet e tij të vazhdueshme të vendeve të huaja. Kjo shoqërohet me një NATO gjithnjë e më të bashkuar, me evropianët që kanë premtuar fonde të reja. Disa lidhin përpjekjen e re negociuese të Putinit pikërisht me mobilizimin, disa ditë më parë, të dy nëndetëseve bërthamore, vendim i marrë nga Donald Trump, mjete që presidenti rus i druhet veçanërisht. Ndërkohë, analistë të tjerë si profesori Michael Clarke, ish-drejtor i think tank-ut “Rusi”, e konsiderojnë këtë si një “lëvizje ushtarakisht të parëndësishme”.
Gjithsesi, aktivizimi ushtarak i Evropës mund të ketë qenë vendimtar për të hapur këtë fazë të re dhe, mbi të gjitha, për të shmangur një tjetër Krime. Kjo ishte një luftë që njerëzit e informuar mirë në Londër e prisnin që në nëntor të vitit 2021, edhe pse rusët e mohuan deri në orët e fundit përpara 22 shkurtit 2022. Sepse parandalimi është “gjuha e vetme që Putin kupton” për t’i vënë fre luftërave dhe pushtimeve të tij të vazhdueshme.
Londra tashmë ka shpallur blerjen e të paktën dymbëdhjetë avionëve luftarakë F-35A, të aftë për të mbajtur koka bërthamore, për të forcuar misionin bërthamor të NATO-s, së bashku me mjetet ekzistuese si nëndetëset atomike “Trident” në Skoci (për të cilat nevojitet një linjë e dytë prodhimi sa më shpejt) dhe armët taktike bërthamore. Muajin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë hedhur thuajse bazat për një shpërndarje thuajse të plotë të parandalimit bërthamor, në afat të gjatë, duke siguruar një “ombrellë” të qëndrueshme për Evropën. Londra ka firmosur gjithashtu një pakt me Gjermaninë, protagonisti i ri i këtij tresheje që synon të mbrojë Evropën nga kërcënimet e Putinit, për një harmonizim gjithnjë e më të madh të prodhimit të armëve dhe mjeteve ushtarake mes dy vendeve, përfshirë edhe eksportet jashtë vendit.
Sigurisht, interesat kombëtare të veçanta janë të shumta dhe rruga është plot pengesa. Por ideja, veçanërisht nga britanikët që bashkë me francezët janë të vetmet fuqi bërthamore në Evropë dhe me një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, është ajo e bashkimit të forcave dhe racionalizimit maksimal të prodhimit ushtarak të Kontinentit të Vjetër. Londra, pavarësisht Brexit-it, do të hyjë së shpejti në programin e riarmatosjes së Bashkimit Evropian me vlerë mbi 120 miliardë euro. Ndërkohë, në samitin e fundit të NATO-s në Hagë, vendet anëtare janë angazhuar të shpenzojnë 3.5% të PBB-së për Mbrojtjen dhe një 1.5% tjetër në afat të gjatë.
Jo vetëm kaq. Projekti futurist GCAP i Britanisë, Italisë dhe Japonisë për avionin luftarak të gjeneratës së gjashtë do të përfshijë si partner të ri edhe Arabinë Saudite, një aktor me shumë para (edhe pse Riad kërkon deri në 50% të përfitimeve nga shitjet, përballë injektimit të madh financiar që do të ofrojë). Për britanikët, koalicioni i të Vullnetshmëve për pasluftën në Ukrainë është gati për t’u zbatuar: pjesëmarrja e fundit dhe e parë e Shteteve të Bashkuara – përmes gjeneralit Keith Kellogg si i dërguar special për Ukrainën – është pritur shumë mirë në Londër, edhe pse, sipas burimeve, Trump nuk e ka dhënë ende miratimin përfundimtar, por mund ta japë pas bisedimeve të afërta me Putinin.
Sa për presidentin e ri amerikan, britanikët i kanë vlerësuar përpjekjet e Biden në mbështetje të Ukrainës, edhe pse për ta ndonjëherë kanë qenë tepër të ngadalta përballë agresionit brutal rus. Trump është, në vend të tij, i paparashikueshëm, dhe përulja e Zelenskyt në Zyrën Ovale në shkurtin e kaluar këtu nuk është harruar. Por sanksionet dytësore të shpallura madje edhe kundër një aleati historik (dhe ish-kolonie britanike) si India – që blen naftë nga Rusia pavarësisht sanksioneve – janë pritur me kënaqësi në Whitehall, në funksion të ndërprerjes së furnizimeve të Rusisë së Putinit.
Për më tepër, “The Donald” ka përshpejtuar një proces të pashmangshëm: riarmatosjen e Evropës, meqë SHBA-të do të fokusohen gjithnjë e më shumë në Indo-Paqësor: kërcënimi i vërtetë për Amerikën është Kina, dhe pikërisht për këtë, në kryeqytetin britanik janë të bindur se SHBA-të nuk do të tërhiqen nga projekti me Londrën dhe Canberrën për nëndetëset bërthamore për Australinë. Nëpër korridoret e Whitehall-it është përhapur kohët e fundit një thënie e kryeministrit polak Donald Tusk:
“Jemi 500 milionë evropianë dhe po kërkojmë lëmoshë nga 300 milionë amerikanë për t’u mbrojtur nga 140 milionë rusë. Duhet të ndryshojmë.”
Në Londër janë të bindur edhe për një tjetër gjë. Boshti mes Rusisë, Iranit, Koresë së Veriut dhe Kinës është shumë më i brishtë se sa mendohet. Pak veta këtu prisnin distancimin dhe indiferencën e Putinit ndaj Iranit të sulmuar nga Izraeli në qershorin e kaluar dhe, mbi të gjitha, braktisjen e pamëshirshme të të vetmes bazë ushtarake të Moskës në Mesdhe në Tartus, pas rrëzimit të regjimit të Assad-it në Siri. Përkundrazi, pavarësisht disa rezervave, Pekinit i jepet meritë, pasi, në momentet kur retorika e Putinit bëhej gjithnjë e më shpërthyese disa vite më parë, ishte pikërisht Kina që arriti ta bëjë carin të reflektojë, duke i imponuar uljen e toneve.
Sigurisht, kërcënimi rus mbetet aty, në kufijtë e Evropës, përfshirë në aspektin e luftës hibride dhe jo vetëm ushtarake, siç tregojnë edhe fushatat e fundit të sabotimeve të Moskës në Evropë. Por britanikët dhe diplomacitë kryesore evropiane janë të bindura se Putin nuk do të mundet të sulmojë – edhe po të dojë – një vend të NATO-s në pesë vitet e ardhshme. Kështu që ekziston koha për riarmatim dhe për rritjen e parandalimit. Marrëdhënia speciale me Amerikën do të mbetet dhe në Londër janë të bindur se Shtetet e Bashkuara, pavarësisht fokusit në Indo-Paqësor, nuk do t’i heqin kurrë garancitë bërthamore për Evropën. Por kjo e fundit, tashmë, duhet të marrë përsipër mbrojtjen konvencionale.
Dhjetëvjeçari i ardhshëm mbetet ende një e panjohur dhe është e pamundur të bëhen parashikime, edhe sepse – ndër të tjera – nuk është e sigurt që Putin do të jetë ende në pushtet.
Por sfidat janë të shumta dhe të mëdha. Për shembull, Londra dëshiron të ndërtojë së bashku me Aleatët një “Projekt Manhattan” të ri (si ai për bombën bërthamore gjatë Luftës së Dytë Botërore) për të arritur të ashtuquajturën “Superinteligjencë” (akoma më e fuqishme se “AI” dhe jashtëzakonisht depërtuese) përpara Kinës, dhe për të pasur avantazh të mjaftueshëm në aspektin e parandalimit (siç bënë amerikanët me Oppenheimer për bombën atomike). Një sektor tepër delikat, aq sa ish-CEO i Google, Eric Schmidt, ka shkruar së fundmi në “Time” për rreziqet bërthamore që lidhen me të, në planin gjeopolitik. Një gjë është e sigurt: Mbrojtja britanike dhe ajo evropiane kanë ende një potencial të jashtëzakonshëm.
Edhe pse kryeministri Keir Starmer, që ka marrë për dore Kontinentin së bashku me Macron dhe së fundmi Merz për ta mbrojtur nga Rusia, duhet për shembull të balancojë gjithmonë mes kostove dhe dilemës “welfare/warfare”. Por ky është vetëm fillimi i një faze të re të riarmatosjes evropiane, tashmë e pakthyeshme./La Repubblica
Komente

Putin ka frike nga Nato ? Hahahah as qe e rruan fare nga keta leggena
Përgjigju